Lajme

Rizvanolli: Infrakos-i ka shënuar përmirësime të dukshme në menaxhim dhe qeverisje koorporative

11/04/2023 14:21
nga:Sh R

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se kanë arsye të dyfishtë t’i gëzohen përurimit të tuneleve 6 dhe 7 dhe rihapjes së linjës hekurudhore Hani i Elezit – Fushë-Kosovë.

Sipas saj, ndërmarrja Infrakos po vazhdon ndërtimin e infrastrukturës në përkrahje të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë e Ambientit.

Ndërsa në anën tjetër siç theksoi ajo “jemi në një pikë ku mund të themi se ndërmarrja publike e Infrakos, të cilën e mbikëqyrim në emër të Republikës ka shënuar përmirësime të dukshme në menaxhim dhe në qeverisje koorporative”, ka thënë ajo.

Sipas saj, me njerëz të rinj në bordin e drejtorëve dhe menaxhmentin e lartë Infrakos ka punuar me përpikëri drejt caqeve të qarta, përmes një rruge që nuk është e lehtë.

“Përgjatë këtij viti është bërë më shumë punë se sa është bërë në tërë jetëgjatësinë e projektit para saj, andaj falënderoj bordin dhe menaxhmentin e Infrakos-it. Për gjatë kësaj kohe është rritur dhe eficienca e operimeve. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit të hyrat janë rritur për 23 për qind, kurse arkëtimi i borxheve është përmirësuar përmbi 34 për qind. Infrakos-i po ashtu ka zvogëluar shpenzimet për 89 për qind. Ka përfunduar ristrukturimi.”, u shpreh Rizvanolli.