Lajme

Lekaj tregon kërkesën e domosdoshme që Kurti dhe Vuçiq duhet t’ja bëjnë SHBA-ve dhe BE-së më 2 maj

04/25/2023 14:56
nga:Genita C

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj në një prononcim për GazetaBlic thotë se Serbia nuk është e gatshme të zbatojë marrëveshjen me Kosovën.

Teksa ka komentuar takimin e 2 majit që do të mbahet në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, Lekaj shtoi se të dyja palët duhet të kenë kërkesë nga SHBA-të dhe BE-ja.

“Vet refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Është e nevojshme që të dyja palët të kërkojnë nga BE dhe ShBA që të shfrytëzojnë gjithë mekanizmat e tyre që ta mbrojnë suksesin e arritur me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thotë Lekaj.

Lekaj paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodhë, vështirë të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Në të kundërtën çdo angazhim i palëve të përfshira vështirë se do reflektojë me rikthimin e normalitetit dhe të rendit e ligjit në terren”, tha Lekaj për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Lidhur me vazhdimin e dialogut, Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm për takimin e radhës në Bruksel, mirëpo presidenti serb Aleksandar Vuçiq, qasjen e dialogut deri më tani e ka parë të gabuar, andaj sipas tij nevojiten bisedime me shqiptarët.

Ndërkaq, ambasadorët e SHBA-së në Kosovë e Serbi kanë pritshmëri nga takimi i 2 majit për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe themelimin e Asociacionit.

Faktori ndërkombëtar pret nga Kosova dhe Serbia që sa më shpejt të nisin zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe në Ohër.

Dhe, progresi rreth implementimit të tyre, nga palët kërkohet që në takimin e ardhshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i caktuar të mbahet më 2 maj në Bruksel.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffry Hovenier, ka thënë se është i nevojshëm zbatimi i marrëveshjeve ndërmjet të dyja vendeve.