Sporti

Llapi reagon pas vendimit të Feronikelit 74 për largim nga gara në Superligën e Kosovës

10/31/2024 20:32
nga:E K

Skuadra e Superligës së Kosovës, Feronikeli ’74 është tërhequr nga garat shkaku i shumë parregullsive në referim gjatë 11-javëve të zhvilluara.

Përmes rrjeteve sociale, klubi nga Drenasi ka plasur “bombën” dhe tashmë është tërhequr zyrtarisht nga garat, transmeton GazetaBlic Sport.

Klubi kosovar, KF Llapi ka reaguar pas njoftimit për tërheqje nga gara të Feronikelit ’74.

Postimi i plotë:

KOMUNIKATË
Ne si nënkampion i Kosovës ndajmë shqetësimin e FC Feronikeli ’74 për largimin e tyre nga garat e Superligës, dhe besojmë se ky veprim nuk kontribuon aspak në zhvillimin e futbollit kosovar. Që nga riorganizimi i klubit tonë në vitin 2013, KF Llapi ka qenë i përkushtuar dhe i orientuar drejt standardeve të futbollit evropian, duke synuar të japim kontribut të vazhdueshëm për përmirësimin e futbollit në vendin tonë. Përgjatë këtyre viteve, kemi ndërtuar një bazë të qëndrueshme dhe kemi kontribuar në zhvillimin e shumë talentëve të rinj.
Megjithatë, shqetësimi ynë ka qenë përherë konsistent: ne kërkojmë që gjërat në referim të rregullohen dhe kampionati të jetë sa më i drejtë dhe korrekt. Në një ndeshje të para dy javëve, pësuam një gol të parregullt që u anashkalua nga zyrtarët e ndeshjes, ndërsa gjyqtarët nuk u penalizuan për gabimin e bërë. Madje, disa nga gjyqtarët e përfshirë u vlerësuan me notën më të lartë. Për ne, nuk ka rëndësi kush dëmtohet apo favorizohet, por ky proces dëmton imazhin e futbollit kosovar.
Kryesia e KF Llapit, për më shumë se 12 vite investon dhe kërkon transparencë e korrektësi në çdo ndeshje. Futbolli nuk duhet të përcaktohet nga investimet financiare apo nga preferencat e zyrtarëve. Është esenciale që çdo investim të respektohet dhe që asnjë klub të mos ndihet i dëmtuar apo i favorizuar. As në futbollin evropian nuk ndodh që gjyqtarët të ndikojnë në rezultatet e ndeshjeve sipas dëshirave personale.
Prandaj, edhe një herë, si klub, ngremë zërin për transparencë në futbollin kosovar. Besojmë se është koha për të siguruar një kampionat të drejtë dhe të ndershëm, që përfaqëson vlerat e sportit dhe punën e gjithsecilit që investon në këtë lojë.
Me respekt,
Kryesia e KF Llapi
31.10.2024