Lajme

Lladrovci: Veprimi i Kurtit në Bruksel, jodiplomatik, kushtet të paharmonizuara me aleatët!

06/27/2024 16:41
nga:Y I

Kryetari i komunës së Drenasit i cili vjen nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me tre kushtet e paraqitura nga kryeministri Kurti dje në Bruksel.

Lladrovci tha se veprimin e Kurtit e sheh si jodiplomatik dhe se kushtet në fjalë janë të paharmonizuara me aleatët.

“Situatën e djeshme e shoh pak më gjerë se brenda kontekstit ditor.E para, e dhimbshme të shpenzohen energji e bileta, për një gjë që ka mundur të zgjidhet paraprakisht, pra, me letër apo me telefon, ditë, javë e muaj më parë dhe e shoh veprim jodiplomatik.E dyta, tri propozimet e zotit Kurti nuk janë të papritura, kur kemi katër vitet e vendnumërimit të shtetit tonë, pa njohje të reja, me sanksione dhe kthimin mbrapa në raport me aleatët që na ndihmuan të çlirohemi e bëhemi shtet. Prandaj, i shoh si propozime të paharmonizuara me aleatët.E treta, kur vë kushte, duhet pasur parasysh edhe përballimin me pasojat e tyre. Kur nuk e disponon forcën për të mbrojtur të drejtën tënde, do rrudhur imagjinatën” tha Lladrovci në përgjigjen e tij.

Lladrovci tha se përvoja ka treguar se ‘pyet mikun’ ka rezultuar me sukses gjatë 20 viteve.

“Dy kushtet, deri diku janë botë e fjalëve e lidhur me letra (nënshkrimi i marrëveshjes, anulimi i letrës së Brnabiqes). Kur flitet për dorëzimin e Radojçiqit, duhet kujtuar këtu se nëse ai përbën rrezik aq të madh destabilizues për rajonin, kujtojmë rastin e kapjes së Millosheviqit kur ushtarët amerikanë e lidhën në mes të Beogradit.Diplomacia jonë nuk do të dëshiroja të jetë e mundur nga Serbia, në asnjë rast. Fundja, për çdo situatë, përvoja na ka treguar se “pyet mikun” ka rezultuar me suksese së paku gjatë 20 viteve” përfundoi Lladrovci përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic”.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha dje nga Brukseli se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim trepalësh.

Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Borrell: Kosova s’ishte e gatshme për takim trepalësh, Kurti paraqiti tri kushte