Opinion

Lladrovci: Profilet e rreme, meritojnë dënim që të mos përsëriten

12/20/2023 15:57
nga:Ramiz Lladrovci

Shkruan: Ramiz Lladrovci

Në fushata zgjedhore, edhe mushka pjell. Më së miri mund të ilustrohet dukuria e mashtrimit, shpifjes dhe ngacmimit me fushatën zgjedhore në komunën e Drenasit, në zgjedhjet lokale.

Porta për qasjen e opinionit të gjerë në Drenas u hap kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016, kur tërë opinioni qytetar, politik e mediatik, kishte zbarkuar në Drenas, duke u marrë me këtë komunë dhe ngjarjet rreth saj, në kushte e rrethana paqeje, me popullsi mesatare dhe përtej rëndësisë politike apo peshës nacionale, sipas votuesve dhe fuqisë elektorale.

Duke qenë komunë e vogël por prodhoi shumë lajme, politika u bë fushë me lule për shpifësit e nivelit nacional dhe posaçërisht gënjeshtarët dhe mashtruesit lokalë.

Fushata e vitit 2021, ishte tmerrësisht e ngarkuar nga dezinformatat. Nga dhjetëra profile të rreme u lansuan shpifje, ngacmime, fyerje, madje edhe kërcënime. Në veçanti kanë qenë të goditura gratë e emëruara dhe të përzgjedhura në vendimmarrje, gratë e angazhuara në politikë dhe ato aktiviste të deklaruara për bindjet e tyre politike.

Drenasi ka qenë dhe mbetet bastion i PDK-së, kjo nuk është e ditur. Nga zgjedhjet e para, të vitit 2000 e deri më sot, PDK i ka fituar të gjitha zgjedhjet. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Keqbërësit e fushatës së fundit, të cilët e kanë ndotur ambientin politik e medial, ende kanë mbetur të pandëshkuar nga ligji. Deri sot, një person është dënuar për ngacmime nga profilet e rreme, për të tjerët pritet të dalin para drejtësisë.

Praktika e fushatës dhe propagandës zgjedhore sikur në zgjedhjet e kaluara në Drenas me profile të rreme, nuk duhet të përsëritet, për shumë arsye. Jo vetëm se e shtrembëron realitetin për devijim të vullnetit qytetar, por edhe për shkak se duke qenë komunë e vogël, njihemi mes vete, e njohim të kaluarën e secilit dhe komunë me shumë varreza masive, heronj, dëshmorë e martirë. Komunë që ka përjetuar shumë dhimbje e plagë, prandaj, qytetarët nuk e meritojnë shpifjen e ngacmimin nëpërmjet profileve të rreme.

Shpresoj që në fushatat e ardhme, organet e drejtësisë të jenë në nivelin e duhur dhe organet e ndjekjes të jenë efikase, për të arritur te adresa e çdo keqbërësi që shpif e ngacmon kundërshtarët politikë. Kuptohet, jo të gjithë pronarët e profileve të rreme nga fushata e kaluar janë zbuluar, megjithëse mentori i një pjese të profileve është zbuluar, ndërsa autorët e shpifjeve të turpshme, ende nuk e kanë marrë dënimin e merituar.

Profilet e rreme meritojnë dënim shembullor që të mos përsëriten. Dënimi nuk do të duhej të ishte për sy e faqe, sepse, efekti i dënimit arrin qëllimin kur profilet e rreme zbulohen në kohë fushate dhe dënohen menjëherë me dënime shembullore për të mos u përsëritur, jo pas një apo dy vjetëve.

I pandëshkuar ka mbetur edhe mjeku që ia ka përshkruar diagnozën një qytetari me “sëmundje psikike”, i cili edhe kur kërcënon me armë në fushatë nuk ndëshkohet nga ligji, sepse i ka “letrat” se është i “sëmurë”. E paidentifikuar për opinionin ka mbetur edhe deputetja e PDK-së nga komuna tjetër që sillej nëpër Drenas duke i “motivuar” qytetarët kundër meje. Ka edhe keqbërës tjerë të cilët i njeh opinioni në Drenas që u përpoqën të fusin duart në votat e Drenasit, të financojnë e përkrahin Bedelin, por nuk ju pati sukses.

Ka keqbërës jomeritor të partisë të cilët gërmojnë sa munden rreth meje pse nuk ua kam kaluar kërkesat e paligjshme dhe bëjnë takime për “unitet” edhe në fshatin tim, me persona mashtrues duke e parapërgatitur terrenin për betejën e ardhme zgjedhore. Nuk kam lejuar e as lejoj qeverisje nga komuna tjetër dhe Bedelit nuk i ka ndihmuar as baba e as i biri, sepse qytetari i komunës së Drenasit i njeh.

Disa prej keqbërësve janë politikanë “të fortë”, të njohur për luks e për pasuri të pajustifikueshme, shpërdorues të parasë publike, të njohur për emërime jo meritore, mashtrues dhe keqpërdorues. Koha kur mashtruesi tenton të jetë më i vlerësuar se atdhetari, ka perënduar një herë e përgjithmonë, edhe shpifjet dhe ngacmimet nga profilet e rreme zbulohen, herët a vonë.