Lajme

Lladrovci përmend Blinkenin: Nuk dua të besojë që Kosova qëllimisht u fut në “offside”, situata në veri do të përkeqësohet

05/28/2023 17:54
nga:Genita C

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se situata në veri tashmë është e ndjeshme.

Lladrovci në një prononcim për GazetaBlic ka folur edhe për reagimet e shteteve të QUINT-it që sipas tij, tregojnë që situata në veri të Kosovës nuk është e mirë.

Këtu ai përmendi reagimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Situatën në veri e shoh shumë të ndjeshme. Reagimet e tashme pas të premtes i shoh mjegullime të paarsyeshme dhe tejet të dëmshme. Aq më keq e shoh situatën pas reagimit të QUINT-it e në veçanti të z. Blinken”, thotë Lladrovci.

Lladrovci thotë se shkuarja në vendin e punës së katër kryetarëve në komunat e veriut, ishte akt i pritshëm.

Ai shton se Kosova është futur në pozitë të ndaluar.

“Shkuarja në vendin e punës së katër kryetarëve në komunat e veriut, ishte akt i pritshëm, pasi, të gjitha afatet ishin përmbushur dhe reagimi për të mos ardhur te kjo gjendje, nuk ka ngjarë. Nuk dua të besoj se Kosova qëllimisht është futur në pozitë të ndaluar-offside”, shtoi Lladrovci.

Sipas Lladrovcit, mllefi publik ka mundur të evitohet duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.

“Ky mllef publik, ka mundur të evitohet me bashkëpunimin paraprak, duke respektuar procedurat, afatet, vendimet dhe Kushtetutën e Kosovës. Askujt nuk po i dhemb më shumë se neve shkelja e Kushtetutës së Kosovës”, thotë ai.

“Kemi nevojë për miq, sikur që kemi nevojë për shtetin tonë pa të cilin ekzistenca jonë nuk ka kuptim. Pres që situata të trajtohet seriozisht e të mos rrezikohen të arriturat e Kosovës as miqësia jonë me aleatët. E keqja është se situata mund të përkeqësohet, madje të ndikohet nga gjendja globale”, thotë Lladrovci për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”.

Me anë të një deklarate, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka dënuar fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, që sipas tij, po përshkallëzojnë tensione në veri.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar Blinken në “Twitter”. /GazetaBlic/

Von Cramon: Kosova s’ka legjitimitet të hyjë në ndërtesat komunale në veri, jemi shumë të shqetësuar

Deklaratat e shteteve të QUINT-it, Arifi tregon se a do t’i besohet më Kurtit çështja e dialogut

Jabllanoviq paralajmëron tjetër përkeqësim të situatës në veri: Fajëson VV’në dhe Albin Kurtin

Haliti për situatën në veri: Vuçiq do të mungoj në takime, Kosova ra në grackën e tij