Lajme

Lladrovci përkujton tre dëshmorët e kombit në 36 vjetorin e rënies

01/31/2026 19:08
nga:Sh R

Me rastin e 36 vjetorit të rënies së tre dëshmorëve, Enver Morina, Shani Morina dhe Sahit Shala, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i ka përkujtuar ata, bashkë me familjar e qytetarë të shumtë.

Postimi i plotë:

Para 36 vitesh, këtu pranë hekurudhës, nga dora e okupatorit, në ballë të demonstratës, ranë dëshmorë, Enver Morina, Shani Morina dhe Sahit Shala.

Ishte ditë që Drenasi nuk e kishte parë deri atëherë, demonstratë e fuqishme ku i madh e i vogël i komunës tonë u ngritën kundër dhunës e terrorit jugosllav. Masiviteti dhe organizimi i demonstruesve paqësor e çmendi Njësinë Speciale Federative dhe për hakmarrje vranë tre e plagosën 27 demonstrues.

Pak metra nga vendi ku ranë heroikisht tre dëshmorët, në Shtator të vitit 1992 dhe në Maj të vitit 1993, do të jetë vendi ku forcat serbe do të pësonin nga aksionet e papara deri atëherë, aksionet e armatosura që do të paralajmëronin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Vendi ku sot bashkë me familjarë të dëshmorëve e qytetarë kemi bërë homazhe dhe vendosëm buqeta me lule, do të jetë edhe vendi i historisë së aksioneve të para të ushtrisë më të suksesshme të shekullit 20, UÇK-së së lavdishme.

I paharrueshëm është kujtimi për dëshmorët e kombit Enver Morina, Shani Morina dhe Sahit Shala. Nderim, lavdi!