Lajme

Lladrovci përkujton sulmin e dytë kundër Jasharajve legjendar: Fillimi i fundit të robërisë

01/22/2026 16:26
nga:Genita C

Me rastin e 28 vjetorit të sulmit të ushtrisë e policisë okupatore, kundër kullave të Jasharajve, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka përkujtuar këtë ngjarje historike duke cituar Hamëz Jasharin, i cili pas sulmit kishte deklaruar se “S’kemi ku me shku na, këtu do ta bëjmë vdekjen”.

Postimi i Lladrovcit në rrjetin social:

Pas sulmit të parë ndaj Familjes Jashari më 30 dhjetor 1991 dhe tërheqjes me turp, si sot, para 28 vitesh, ushtria dhe policia e Serbisë kishte vënë sërish në shënjestër kullën e pamposhtur të Prekazit, kullën e Komandantit legjendar, Adem Jashari.

Në sulmin e dytë, do të jetë si parapërgatitje për planin ogurzi që tashmë okupatori kishte përgatitur, sulm të kufizuar se nëse do të përmbusheshin synimet e kësaj dite dhe të mbyllej me kaq, nëse jo, të vazhdojë me shkatërrim e plotë të Kullës së Jasharajve dhe çdo gjëje që do të lëvizte. Ishte mesazh se okupatori nuk tërhiqet nga qëllimi.

“S’kemi ku me shku na, këtu do ta bëjmë vdekjen, këtu ku të parët tanë kanë jetuar me shekuj, prej ilirëve e pëllazgëve, këtu edhe ne do ta bëjmë vdekjen, kurrë nuk do ta lëshojmë këtu”, ishin fjalët e Hamzës pas sulmit.

Nuk ishte opsion tërheqja, nuk kishte plan b te Jasharajt. Kishin marrë barrën më të rëndë që mund ta marrë një Familje, qëndresën përball armikut deri në fund, me krejt familjen. Sulmi i dytë kundër Jasharajve, më 22 janar 1998, do të jetë fillimi i fundit të robërisë si dhe agimi i lirisë tonë.

Lavdi e përjetshme për Jasharajt legjendar!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!