Lajme

Lladrovci për deklaratën e Ramës se ‘Kurti dha shenja se po bëhet kryeministër’- Është shumë finok në epitete!

11/15/2023 21:24
nga:Y I

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar gjatë ditës së sotme se Kurti duke pranuar Draftin e Asociacionit ka ‘dhënë shenjë se po bëhet kryeministër.

Ai tha se Kurti ka bërë një hap të vonuar por të duhur.

Në lidhje me këtë deklaratë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për “Gazeta Blic” kryetari i komunës së Drenasit, njëherësh ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci.

Lladrovci tha se Rama është shumë ‘finok’ në epitete  dhe ka menduar se burrështetasit marrin vendime të vështira në shikim të parë, por të duhura, në kohën adekuate.

“Kur Rama tha, “hap të vonuar por të duhur”, nuk e di a ka menduar për vonesat në këto vitet e fundit, apo për vonesën e shkaktuar për një dekadë, e para, mendoj se ai e ka përligjur një akt sipas emërtimit, jo sipas përmbajtjes, përmbajtje e cila mund të vëjë në luhajë pavarësinë tonë, dhe kostoja që po paguan Kosova, është më e larta e paguar ndonjëherë që nga Pavarësia”

“Mendoj se Rama është shumë finok në epitete, ka folur për një post aktual, ndoshta ka menduar se burrështetasit marrin vendime të vështira në shikim të parë, por të duhura, në kohën adekuate, pra, burrështetasit nuk i nënshtrohen presioneve dhe janë largpamës për të mos u detyruar të lëpijnë, atë që kanë pështyrë” deklaroi Lladrovci për “Gazeta Blic”.


Ramiz Lladrovci, Kryetar i Drenasit

Kryeministri i Shqipërisë, Rama, deklaroi se e ka përgëzuar Kurtin që në momentin e parë që e ka pranuar Draftin e Asociacionit në Bruksel.

“Albini ka bërë një hap të vonuar, por të duhur. Por më e rëndësishme se vonesa është fakti që ka bërë hapin e duhur. Unë e kam përgëzuar që në momentin e parë. Është e rëndësishme që Kosova të jetë aktive, të jetë ajo që e avancon procesin drejt marrëveshjes përfundimtare sepse është e fituara e madhe e kësaj marrëveshje. Çështja është me sa kosto. Çështja është pse duhet marrë kosto për diçka që e para është në dorën tënde”

“Kryeministër bëhesh kur bëhesh dhe jo kur zgjidhesh. Ajo që ka bërë Albini duke pranuar atë draft është shenjë që Albini po bëhet kryeministër” deklaroi sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, raporton “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

 

Rama: Duke pranuar draftin e Asociacionit, Kurti ka dhënë shenjë se po bëhet kryeministër