Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke shprehur tronditjen e tij dhe duke e cilësuar vendimin si të padrejtë.
Lladrovci ka thënë se vendimi është përcjellë nga qytetarët e Drenasit në sheshin e qytetit, ndërsa ka theksuar se, sipas tij, pafajësia do të ishte “vendimi i vetëm i drejtë”.
“Drejtësia sot u bë padrejtësi!”, ka shkruar Lladrovci, duke shtuar se heronjtë e luftës dhe paqes, sipas tij, “kanë qenë, janë dhe përgjithmonë mbesin të pafajshëm”.
Ai ka vlerësuar se akuzat për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kanë rënë poshtë, ndërsa qëllimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas tij, ishte çlirimi dhe liria e Kosovës.
“Qëllimi i heronjve tanë të luftës dhe paqes ishte liria dhe çlirimi i Kosovës, si e drejtë themelore për lirinë e qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Lladrovci.
Në reagimin e tij, kryetari i Drenasit ka përmendur edhe rolin e aleatëve ndërkombëtarë dhe të NATO-s në luftën e Kosovës, duke thënë se pa ndihmën e tyre, sipas tij, nuk do të arrihej çlirimi nga okupimi serb.
Lladrovci ka kritikuar gjithashtu ato që i cilëson si “tendenca të disa shteteve jomiqësore” për kriminalizimin e UÇK-së. Ai ka akuzuar Serbinë për, siç shprehet, shënjestrimin e pjesëtarëve të UÇK-së dhe përpjekjet për të njollosur qëllimet e luftës çlirimtare.
Sipas Lladrovcit, “adresa e vetme e krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë, është Serbia”.
Në fund të reagimit, ai ka deklaruar se kundërshtimi i vendimeve të Hagës do të mbetet, sipas tij, prioritet për mbrojtjen e figurave të luftës dhe paqes, si dhe të institucioneve të Kosovës.
“UÇK është vetë liria, liria nuk gjykohet”, ka përfunduar Lladrovci.
/GazetaBlic/


