Lajme

Lladrovci në Izrael: Po e jetojmë kohën kur propaganda po tenton ta rishkruaj të kaluarën tonë

01/27/2026 19:23
nga:Sh R

Ramiz Lladrovci mori pjesë në tryezën e Qendrës së Jerusalemit për Siguri dhe Punë të Jashtme, ku theksoi se mbrojtja e të vërtetës së Kosovës nuk është vetëm çështje historie, por edhe një akt themelor i sigurisë kombëtare.

Postimi i Lladrovcit në fb:

Pata nderin të jem i ftuar nga zv. presidenti Aviram Bellaishe, në tryezën e rrumbullakët të nivelit të lartë në Qendrën e Jerusalemit për Siguri dhe Punë të Jashtme (JCFA). Ky institucion është duke festuar gjysmë shekulli nga themelimi me ndikim në politikën globale, referencë për Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin Amerikan të Shtetit.

Në tryezë ishin të pranishëm personalitete të shquara nga lëmi i sigurisë dhe diplomacisë, si:

Dr. Dan Diker (President), specialist në luftën kundër-politike dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Kongresit Botëror Hebraik, z. Aviram Bellaishe (Zv. president), ekspert i gjeopolitikës me 27 vite përvojë në aparatin e sigurisë së Izraelit, z. Alan Baker, ish-ambasador izraelit në Kanada dhe hartues i Marrëveshjes së Osllos, Dr. Jacques Neriah, ish-Këshilltar i Kryeministrit Rabin dhe ish-zëvendësshef për Vlerësimin e Inteligjencës, z. Oded Ailam, ish-Shef i Divizionit kundër Terrorizmit, Dr. Harold Rhode: specialist i Historisë Osmane, ishte 28 vite këshilltar për botën islame në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së.

Kosova dhe Izraeli kanë të njëjtat koncepte lidhur me ruajtjen e identitetit kombëtar. Dr. Dan Diker ma dhuroi një libër që bën fjalë se si aktorë të ndryshëm në botë, tentojnë të rishkruajnë historitë kombëtare për përfitime politike.

Mbrojtja e Historisë së Kosovës, ishte çështje që na dakordësoi edhe më shumë, sepse, po e jetojmë kohën kur propaganda po tenton ta rishkruajë të kaluarën tonë. Për këtë, ne duhet të qëndrojmë të palëkundur. Mbrojtja e të vërtetës së Kosovës nuk është vetëm çështje historie, por edhe një akt themelor i sigurisë kombëtare.