Lajme

Lladrovci: Nderimi për SHBA-në vazhdon çdo ditë të vitit

07/03/2026 16:19
nga:L J

Me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ramiz Lladrovci ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale, ku ka theksuar se mirënjohja e qytetarëve të Kosovës ndaj SHBA-së duhet të jetë e përhershme dhe jo vetëm në Ditën e Pavarësisë.

Lladrovci ka shkruar se për qytetarët e Kosovës, Shtetet e Bashkuara nuk përfaqësojnë vetëm një shtet aleat, por edhe vendin që dha kontribut vendimtar për lirinë e Kosovës.

Ai ka vlerësuar se marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe SHBA-së është ndërtuar ndër dekada, duke përmendur mbështetjen historike amerikane në periudha të ndryshme, nga presidenti Woodrow Wilson e deri te ndërhyrja gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, ndonëse disa breza të rinj mund të mos e ndjejnë me të njëjtin emocion këtë lidhje, për ata që kanë përjetuar okupimin dhe luftën, mirënjohja ndaj Amerikës mbetet detyrim moral.

“Katër Korriku është nesër dhe pastaj vije Pesë Korriku dhe vijon deri në përvjetorin tjetër, por, mua besoj edhe të tjerëve si unë që ishim në gjendje të japim çdo gjë për lirinë e Kosovës, nderimi për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vazhdon çdo ditë, çdo ditë të vitit”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka përfunduar se për Kosovën, respekti ndaj SHBA-së nuk duhet të kufizohet në një datë kalendarike, por të shprehet vazhdimisht si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen historike ndaj lirisë dhe shtetësisë së vendit.