Lajme

Lladrovci: Jeta dhe vepra e Dr. Hafirit, është trashëgimia më e çmuar për familjen dhe kombin

04/10/2024 20:59
nga:G B

Me rastin e 26 vjetorit të zhdukjes së mjekut të parë të UÇK-së, heroit dr. Hafir Shala, kryetari komunës ka postuar një deklaratë rreth homazheve të bëra sot, pranë shtatores së heroit në oborrin e QKMF-së.

Lladrovci ka shkruar se “me rastin e 26 vjetorit të zhdukjes së mjekut të parë të UÇK-së, heroit Dr. Hafir Shala, sot, me familjarë të heroit, bashkëpunëtorë, qytetarë e mysafirë, kemi bërë homazhe dhe vendosëm kurora me lule, pranë shtatores së heroit në oborrin e QKMF-së”.

Jeta dhe vepra e Dr. Hafirit, ka deklaruar Lladrovci. është trashëgimia më e çmuar për familjen dhe kombin, krenari e kombit dhe për matelbardhët të cilët ishin të pandashëm nga fati i popullit të tyre, të pandashëm nga plagët e kombit të vet, të pandashëm nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Pas pritjes në Zyrë, në homazhe, na u bashkua edhe mikja e Kosovës, dr. Betty Uribe me bashkëpunëtorë, veprimtare e shquar amerikane, e cila është e përkushtuar për ta ndihmuar Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas. Lavdi jetës dhe veprës së heroit dr. Hafir Shala! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, ka shkruar në fund Lladrovci.