Lajme

Lladrovci i vetmi nga PDK-ja që merr pjesë në takimin me Kurtin

02/21/2024 14:45
nga:Y I

Drenasi është ndër komunat e vetme nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) që mori pjesë në takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Lidhur me këtë, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se nuk merr leje dhe nuk e pyet askënd për të marrë pjesë në takime të tilla, që sipas tij kanë interes për buxhetin e komunës.

Pas takimit mes Kurtit dhe 15 përfaqësuesve të komunave, në një prononcim për media, Lladrovci vlerësoi se buxheti i ndarë për këtë komunë nga qeveria aktuale është i vogël por i përballueshëm.

Ai shtoi se morën premtime nga kryeministri dhe ministrat, por që sipas tij mbetet të shihet se çfarë do të përfitojnë.

Lladrovci potencoi se në takim u diskutua edhe për mundësitë e rritjes së buxhetit për qytetarët e Komunës së Drenasit.

Ndërkaq, sot u mbajt takimi i gjashtë me radhë i këtij lloji me kryetarët e komunave.

Ndër çështjet më të rëndësishëm dhe urgjente sipas kryeministrit Kurti, që janë diskutuar në këtë takim janë regjistrimi i popullsisë dhe problemi me qentë endacak./KP/