Debati i sotëm në Parlament, më zgjoi kureshtjen ta di se nga ju vije disa personazheve politike guximi për trimëritë e vonuara. Dihet rruga politike e secilit që flet sot për trimëri dhe guxim për ruajtjen e promovimin e interesit nacional.
Dihet kontributi i shteteve e jo individëve për Kosovën. Çështja e Kosovës nuk duhet përvetësuar si diçka personale, është përgjegjësi më e madhe se një njeri, një bindje politike dhe një synim i një njeriu.
Është për keqardhje me ndëgjue konspiracione në Kuvend. E kuptoj kur ndonjë deputet flet kot nëpër studio televizive se kush po bën dëm e kush po e ndihmon Kosovën, por, të bije në këtë nivel Kryeministri, është e pabesueshme.
Se çka flet opozita me Escobarin, është çështje ndërpersonale. Opozita e ka deklaruar qëndrimin për çështjet madhore, me gojë e me shkrim, edhe për Asociacionin dhe përkrahja që i jepet Kryeministrit për të qëndruar te parimi ndaj Serbisë për njohjen e ndërsjellë në qendër. Konspiracionet, këtu nuk kanë vend.
Opozita, e di kush është kush në politikë dhe kush është gardiani i lirisë dhe demokracisë në glob. Opozita e di se cila është vlera e Amerikës dhe kontributi i saj për çlirimin tonë dhe shtetndërtimin, me njohjet që kanë ardhur dhe garancitë që i kemi pasur dhe i kemi për ekzistencën e shtetit tonë. Kjo çështje nuk i duron as personalizimet as trimëritë e vonuara.
Escobar lind e nuk bëhesh. Kjo ma kujton tregimin e lëkurës së arushës. Kush ia njeh erën arushës, nuk ia mësyn as lëkurës së saj!