Lajme

Lladrovci e do Limajn, Selimin, Remin e Jahjagën në PDK: Kosova ka nevojë për ndryshim të kursit

12/05/2025 18:26
nga:Sh R

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka bërë thirrje PDK-së që të hapet për profile të reja në parti.

Përmes një postimi në Facebook, ai tha se partia do të bëhej më e fortë me profilet e Sylejman Selimit, Fatmir Limajt, Rrustem Mustafës, Atifete Jahjagës, Buna Mustafës, Kolë Berishës, apo përfshirja e vajzave të Profesor Çettës, Agatës dhe Donikës si dhe personaliteteve tjera për zgjedhjet që na presin.

“Hapja e PDK-së ndaj personaliteteve të pa përfshira në rrjedha politike, është e domosdoshme në këtë kohë vendimtare për kthesën e fortë që i duhet vendit, për të arritur fitore më 28 dhjetor. Kosova ka nevojë për ndryshim të kursit, menjëherë”, deklaroi Lladrovci.

Ai tha se skena politike ka nevojë për kompetencë, përkushtim dhe besim, me burime njerëzore për shtet dhe përfaqësim të duhur.

Lladrovci pati kritika për Degën e PDK-së në Prishtinë, e cila tha se para dy dekadave kishte dhjetëra profesorë e doktorë shkencash, “të cilët sot i mungojnë PDK-së dhe Parlamentit”.

“Kosovës i duhet qartësim i rrugës dhe vlerave mbi të cilat u ndërtua. Me vullnet e përkushtim, arrihet fitorja”, u shpreh Lladrovci.