“Është koha që lojtarët që janë në dispozicion të japin gjithçka dhe të tregojnë karakter”, ka deklaruar trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, duke iu referuar situatës së vështirë që po kalon skuadra në këtë periudhë të sezonit, mes ndeshjeve të shumta dhe problemeve në përbërje.
Liverpooli po përballet me disa mungesa të rëndësishme. Alexander Isak është jashtë për disa muaj pas një frakture në këmbë, ndërsa Cody Gakpo dhe Conor Bradley janë në dyshim për ndeshjen e radhës ndaj Wolves. Mohamed Salah ndodhet në Kupën e Afrikës, Joe Gomez mungon për shkak të një lëndimi muskulor, Wataru Endo ka probleme me kyçin e këmbës, ndërsa Dominik Szoboszlai është i pezulluar.
Pavarësisht këtyre vështirësive, Slot ka theksuar se problemi kryesor i skuadrës mbetet bilanci i dobët nga goditjet standarde. Liverpool ka shënuar vetëm tri gola nga këto situata dhe ka pësuar 11, një statistikë që sipas trajnerit e bën pothuajse të pamundur përfundimin në Top 4 të Premier League.
“Kemi një bilanc negativ nga goditjet standarde dhe kjo po na dëmton shumë. Është e pamundur të synosh katër vendet e para me këto shifra”, ka thënë Slot, duke shtuar se Liverpool është i vetmi ekip nga pjesa e sipërme e tabelës me një bilanc kaq negativ.
Megjithatë, trajneri holandez ka theksuar se skuadra e tij kryeson ligën për raste të krijuara nga loja e hapur, çka shpjegon pse Liverpool vazhdon të mbajë hapin me rivalët, edhe pse ndodhet pas Chelsea në vendin e katërt vetëm për shkak të golaverazhit.


