Lajme

Lista Serbe: Mirëpresim aksionin në Zveçan, dënojmë veprimet kriminale të individëve

05/23/2022 18:54
nga:G B

Lista Serbe ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në Zveçan. Lista Serbe ka mirëpritur këtë aksion me qëllim të luftimit të substancave narkotike.

Përmes një komunikate, Lista Serbe ka deklaruar se në emër të tyre dhe popullit serb ata “dënojnë veprime kriminale të individëve”

“Lista Serbe mirëpret aksionin e policisë nga Rajoni-Veri, i cili u zhvillua sot me qëllim të luftimit të krimit në fushën e narkotikëve, i cili në radhë të parë i mbron rininë dhe fëmijët tanë nga kjo murtajë që shkatërron çdo shoqëri. Ky veprim tregoi se punonjësit e policisë së Qarkut-Veri kanë aftësinë dhe kapacitetin për të kundërshtuar krimin. Shfrytëzojmë rastin të theksojmë se në emër të Listës Serbe dhe popullit tonë dënojmë veprime të tilla kriminale të individëve”, thuhet ndër tjerash në reagim.

Gjithashtu Lista Serbe ka thënë se gjithmonë do të japin mbështetjen e tyre ndaj aksioneve të tilla të cilat “nuk lejojnë që individë me aktivitetet e tyre kriminale të kriminalizojnë gjithë veriun”.

“Ne i japim mbështetje të plotë policisë së Rajonit-Veri që të vazhdojë me veprime të tilla dhe të mos lejojë individë që me aktivitetet e tyre kriminale të kriminalizojnë gjithë veriun, ku jetojnë njerëz dhe mikpritës të ndershëm. Duam të bëjmë të qartë se sa herë që policia kryen veprime profesionale si kjo, gjithmonë do të ketë mbështetjen e Listës Serbe dhe qytetarëve tanë”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe në aksionin e sotëm në Zveçan janë konfiskuar rreth 10 mijë fije narkotikë të llojit marihuanë.