Lajme

Lista Serbe i reagon ndërkombëtarëve: Të dashuruar në regjimin autoritar të Kurtit

04/08/2024 17:53
nga:G B

Lista Serbe(LS) ka reaguar ndaj deklarimeve të ndërkombëtarëve të cilët shprehen keqardhje për dorëheqjen e anëtarëve të LS-së nga komisionet komunale në veri.

LS përmes një postimi në Facebook ka shkruar se janë të zhgënjyer me qëndrimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, veçanërisht me qëndrimin e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rode.

“Përfaqësuesit ndërkombëtarë janë të verbuar nga dashuria për regjimin autoritar antiserb të Albin Kurtit dhe nuk i shohin të gjitha lëvizjes e njëanshme të Prishtinës që shkelin sistematikisht të drejtat e popullit serb në Kosovë me qëllim të spastrimit përfundimtar etnik të serbëve nga vatra shekullore”, thuhet në postimin e LS-së.

Tutje LS është shprehur se “Kujtojmë se serbët me besimin më të mirë ishin të gatshëm të merrnin pjesë në procesin e zëvendësimit të kryetarëve të rremë, gjë që e treguan me nënshkrimin e peticionit në një kohë rekord dhe me më shumë nënshkrime se sa nevojitej, por që Albin Kurti projektoi një procedurë të tillë referendumi që është e pamundur dhe jo i realizueshëm me qëllimin e vetëm për të mbajtur kryetarë të rremë në karrige. I kujtojmë ambasadorit Rohde se ai ishte i mirëinformuar për të gjitha pengesat dhe kurthet në procesin e sipërpërmendur”, shkruan në postimin e LS-së në Facebook.

LS tutje ka thënë se përfaqësuesit e QUINT-it nuk kanë bërë asgjë sa u përket “padrejtësive” për të cilat kjo parti pretendon se u janë bërë serbëve të Kosovës.

“Përkundrazi regjimi në Prishtinë ‘dënohet’ duke marrë liberalizimin e vizave, duke ngritur nivelin e bashkëpunimit me NATO-n dhe duket se do të anëtarësohet edhe në Këshillin e Evropës”, thuhet në reagim.

Lista Serbe të hënën e 8 prillit ka njoftuar se do të bojkotojë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill.

Nga ana tjetër, ambasadori gjerman, Rohde në një deklarim për Telegrafin ka thënë se dorëheqja e anëtarëve të Listës Serbe nga komisionet komunale në veri, është presion ndaj qytetarëve në veri.