Lajme

Lista Serbe i reagon Hovenierit: Deklaratë e turpshme e ambasadorit amerikan për incidentin në Veri

04/11/2023 19:31
nga:Astrit Gashi

Lista Serbe i ka reaguar ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, i cili pak minuta më parë tha se është i shqetësuar dhe kërkoi hetim të besueshëm për plagosjen e nje qytetari të komunitetit serb në Zveçan.

Lista Serbe në mënyrë ironike kanë deklaruar se ata janë të shqetësuar që ambasadori është i shqetësuar.

“Në vend që të dënojë qartë tentativën për vrasjen e Milan Jovanoviqit mbrëmë në postbllokun ilegal të njësive parapolicore të Kurtit në Urën e Bistricës, ai është i shqetësuar!?”, ka pyetur Lista Serbe.

Deklaratën e Hovenier tutje e kanë quajtur të turpshme.

“Vetëm pasi Lista Serbe reagoi dhe theksoi se Milan Jovanoviq ishte viktimë e një sulmi të armatosur nga forcat speciale të Kurtit, të cilët ndodhen ilegalisht në veri të Kosovës, vonë pasdite, z. Hovenier i shqetësuar foli dhe e bëri këtë deklaratë të turpshme që zvogëlon përgjegjësinë e atyre që derdhën gjakun serb”, thuhet në reagim tutje.

Sipas Listës Serbe, për qytetarët serbë është e qartë se “ambasadorët e Quintit po e bëjnë të kundërtën e asaj që është e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve në Kosovë”.