Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka publikuar listën preliminare me emrat e futbollistëve që ka grumbulluar për Kampionatin Evropian ‘Euro 2024’.
Sylvinho ka grumbulluar 27 futbollistë për Euro 2024, derisa jashtë listës kanë mbetur Sokol Cikalleshi, Keidi Bare, Myrto Uzuni e Arbnor Muja.
Kishte reagime të ndryshme pas publikimit të listës, me shumë njerëz që mbeten të befasuar me vendimin e trajnerit për Sokol Cikalleshin, i cili edhe pse tregoi paraqitje shumë të mira në kualifikuese, nuk mori besimin e trajnerit.
Njëri nga tifozët më të ‘zjarrtë’ të Kombëtares së Shqipërisë, Julian Tereziu tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se trajneri është ai që vendos për gjithçka, por që nuk e fshehu faktin se mbeti i befasuar me vendimin e tij për Cikalleshin.
Sipas tij, 33 vjeçari nga Kavaja ka bërë punë shumë të mirë në ndeshjet kualifikuese dhe se grupi që e arriti këtë sukses, duhej të respektohej.
“Trajneri vendos për gjithçka, uroj që zgjedhjet e tij të jenë më të mirat. Jam i mendimit që duhej respektuar grupi që e kualifikoi Shqipërinë në ‘Euro 2024’. Sokol Cikalleshi e meritonte ftesën, jo vetëm për aspektin e tij ofanziv, por edhe ndihmën e madhe që i dha skuadrës në aspektin defanziv. Megjithatë, le të shpresojmë për rezultate sa më të mira, unë do të jem atje nga 12 qershori, në përkrahje të kuqezinjëve tanë“, tha Tereziu.
Kujtojmë që Tereziu është prezent pothuajse në të gjitha ndeshjet që Shqipëria i zhvillon, si ato të karakterit kualifikues por edhe në takimet miqësore.
/GazetaBlic Sport/