Sporti

Lista e Kosovës për ndeshjet ndaj Islandës | Si qëndrojnë portierët, kjo është forma e tyre në ekipet përkatëse

03/17/2025 18:35
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës në futboll luan dy ndeshje tejet të rëndësishme në pak ditë ndaj Islandës.

Fillimisht, Kosova do ballafaqohet me Islandën me 20 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndeshja e kthimit do luhet tre ditë më vonë. Këto ballafaqime luhen në kuadër të “Play Off” për t’u ngjitur në Ligën B të Ligës së Kombeve, shkruan GazetaBlic Sport.

Trajneri i Kosovës, Franco Foda para pak ditësh ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar.

Foda si zakonisht ka grumbulluar tre portierë: Aro Muric, Amir Saipi dhe Visar Bekaj.

GazetaBlic Sport më poshtë iu sjell statistikat e portierëve në klubet përkatëse:

ARO MURIC (Ispwich Town)  – Në 10 ndeshjet e tij të fundit, Aro ka qenë më shumë në bankën rezervë, sesa në fushë. Portieri ka luajtur një ndeshje në FA Cup, ndaj Bristol Rovers në janar, ku e mbajti portën e paprekur në fitoren 3:0 dhe në Premierligë ndaj Southampton në humbjen 1-2. Në tetë ballafaqimet tjera, Muric ka qenë në stol, duke mos pasur shumë minuta…

AMIR SAIPI (Lugano) – Në 10 ndeshjet e fundit me Luganon, Saipi ka qenë startues në 9 prej tyre, të gjitha në Superligën e Zvicrës e Conference League, teksa pushoi në Kupë, siç bëjnë zakonisht portierët startues. Në këto 10 duelet e fundit, Saipi e mbajti portën e paprekur veç ndaj Luzernit, por u veçua me paraqitje të mirë në duelin e Conference League ndaj Celje, si dhe në Superligën e Zvicrës ndaj Young Boys.

VISAR BEKAJ (Hatayaspor) – Në 10 ndeshjet e fundit me Hatayaspor, Bekaj ishte startues në 7 ballafaqime, duke fituar kështu pas një kohe të gjatë vendin e titullarit tek klubi turk. Bekaj ishte fantastik në duelin ndaj Galatasaray (1:1), në sfidën ndaj Sivassporit (3:2)  dhe ndaj Alanyasporit, ku e mbajti portën e paprekur.

/GazetaBlic Sport