Sporti

Lista e Championsit, gafë e pafalshme e skuadrës së Arbnor Mujës

09/15/2023 08:02
nga:Mergim Rreci

Royal Antwerp, skuadër ku luan sulmuesi anësor i Kombëtares Shqiptare, Arbnor Muja, bën një gabim të pafalshëm administrativ, duke lënë aksidentalisht jashtë listës për fazën e grupeve të Championsit mbrojtësin amerikan, Sam Vines.

Dhe të mendosh që lojtari i përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte element kyç në eliminimin e AEK-ut të Athinës në play off-in e Championsit.

Një gafë e pafalshme, që do ta detyrojë ish-futbollistin e MLS-së t’i ndjekë nga tribuna gjashtë sfidat e fazës së grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm për klube.

Është thjesht për të ardhur keq që 24-vjeçari nuk do të mund të luajë në Champions për një arsye kaq banale, veçanërisht duke pasur parasysh se humbi pothuajse gjithë sezonin 2022/23 për shkak të lëndimit, madje edhe pjesëmarrjen në Kupën e Botës, në Katar.

“Çfarë mund të them për këtë? Nuk vepruam si duhet. Wines ishte pjesë e listës. Ne bëmë një gabim dhe nuk mund të korrigjohet”, tha trajneri i Antwerpit, Mark Van Bommel.

“Si e ka pritur Vines këtë gafë? Epo… Të gjithë duan të jenë në atë listë. Sigurisht që është i zhgënjyer. Por ai tani po fokusohet në rehabilitimin e tij, kjo është gjëja më e rëndësishme”.