Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate (PSD), Nol Nushi, ka njoftuar mbrëmë vonë se është liruar pas ndalimit nga Policia në kufirin Kosovë-Maqedoni Veriore.
Në një postim në Facebook, Nushi konfirmoi se ishte mbajtur për dy orë në stacionin policor në kufi.
“U lirova, pas dy orësh ndalese në stacionin policor në kufirin Kosovë – Maqedoni”, shkroi ai.
Nushi bëri të ditur se ndalimi lidhej me një vepër penale të vitit 2016, kur ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
Ai e cilësoi ndalimin si të motivuar politikisht, duke akuzuar autoritetet për selektivitet ndaj aktivistëve të PSD-së.
“Më ndaluan për një vepër të vitit 2016 si aktivist i VV. Çka kuptova është që këso ndalesa kanë vetëm aktivistët e PSD. Nuk kishin ndonjë rast që kishin ndalë ndonjë të LVV, ndonëse aktivitetet i kemi bo bashkë”, tha ai.