Lajme

Lirohen minatorët e bllokuar në Trepçë pas disa orë ngujimi

01/26/2026 08:39
nga:Genita C

Dhjetëra minatorë të ndërrimit të dytë në Minierën e Trepçës janë detyruar të qëndrojnë për disa orë nën tokë, për shkak të një problemi në furnizimin me energji elektrike.

Sipas Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, defekti ka penguar funksionimin e sistemeve të transportit dhe të sigurisë, duke pamundësuar daljen e menjëhershme të minatorëve pas përfundimit të ndërrimit.

Kryetari i sindikatës, Ibrahim Jonuzi, për teve1.info ka bërë të ditur se situata është menaxhuar dhe se punëtorët kanë arritur të dalin pa pasoja.

Ai ka theksuar se ndërprerja e rrymës ka zgjatur disa orë, rreth gjashtë deri në shtatë, por pas sanimit të defektit procesi i punës është rikthyer në normalitet.

“Po e konfirmoj që minatorët kanë mbetur të ngujuar, por kanë dalë. Ka qenë për shkak të një defekti me rrymën, më shumë detaje nuk kam. Nja gjashtë apo shtatë orë kanë mbetur, tashmë po fillon puna normale, është rikthyer në normalitet”, tha ai

Raportimet paraprake kishin bërë të ditur se minatorët kishin mbetur të bllokuar në disa horizonte të minierës, përfshirë nivelet 8, 9 dhe 10, në thellësi të konsiderueshme nën tokë.

Dalja e tyre ishte planifikuar shumë më herët, por mungesa e energjisë elektrike kishte bllokuar ashensorët dhe sistemet e evakuimit.