Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuza të akuzuarit B.T., Q.T., A.T. dhe J.T, të cilët ngarkoheshin për shpërlarje të parash.
Aktgjykimi lirues ndaj katër të akuzuarve të lartcekur u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit Ismaili të njëjtit janë liruar nga akuza për shkak se nuk është provuar se ata kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
Në arsyetim të këtij aktgjykimi, gjykatësi Ismaili tha se mbi bazën e atyre provave që i kanë administruar nuk është vërtetuar se mjetet financiare të cilat janë transferuar nga Holanda dhe Turqia që janë fituar me aktivitete kriminale.
Ndërsa, palët e pakënaqura kanë të drejtë të ushtrimit të ankesës kundër këtij aktgjykimi në afatin ligjor prej 30 ditësh nga momenti kur pranohet në formë të shkruar.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të akuzuarit B.T., Q.T., A.T. dhe J.T ngarkohen se në vazhdimësi, në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Ligjit 05/L96 neni 56, paragrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.


