Lajme

Lirohen aktivistët ‘Asnji cent më shumë’, kundërshtuan shtrenjtimin e rrymës

3 ditë më parë
nga:Y I

12 aktivistët e arrestuar gjatë një aksioni simbolik të grupit “Asnji cent me shumë” tek zyrat e ZRRE-së për kundërshtimin e shtrenjtimit të rrymës, janë liruar.

Kjo formë e protestës u zhvillua si shprehje e pakënaqësisë ndaj rritjes së tarifave të rrymës prej 15 për qind.

Pas kësaj ngjarje, ka reaguar edhe Zyra e Rregullatorit për Energji.

Në njoftim thuhet, se ZRRE-ja është e vetëdijshme për shqetësimet e qytetarëve lidhur me procesin e tanishëm tarifor, të shprehura sot përmes protestës pranë zyrave të ZRRE-së.

“ZRRE respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Tutje, në këtë reagim thuhet se Zyra e Rregullatorit për Energji, në vazhdimësi angazhohet për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent në shqyrtimin e çdo komenti nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me legjislacionin ne fuqi.

“ZRRE në vazhdimësi angazhohet për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent në shqyrtimin e çdo komenti nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me legjislacionin ne fuqi. Andaj, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të mos penguar ushtrimin e detyrave të ZRRE, konform mandatit te saj”, përfundon reagimi.

Paralajmërimi për rritjen e çmimit të rrymës, ka ngjallur reagime të mëdha dhe pakënaqësi te qytetarët dhe bizneset.

Këtë shtrenjtim e ka kundërshtuar dhe presidenca, por deri tash Qeveria e Kosovës nuk ka kundërshtuar shtrenjtimin, përveç që ka kërkuar shtimin e numrit të blloqeve për konsumatorë.

Për shkak të pakënaqësive, më 5 prill është paralajmëruar edhe një protestë në Prishtinë. /Kp/