Lajme

Lirimi nga paraburgimi i ish-administratorit të “Albkings”, ngre shqetësime serioze për sigurinë e viktimave të ngacmimit seksual

10/21/2024 17:18
nga:G B

Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut, ka reaguar pas lirimit nga paraburgimi të Edin Nevzadit, ish-administrator në “Albkings”.

Në reagim ky institut, ky vendim ngre shqetësime serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe sigurinë e viktimave të ngacmimit seksual të përfshira në rastin e grupit “Albkings”.

“Ky grup, përgjegjës për shpërndarjen e të dhënave personale, kredencialeve dhe publikimin e fotografive intime dhe denigruese të vajzave dhe grave, paraqet një sulm të hapur ndaj privatësisë dhe dinjitetit njerëzor. Vendimi për lirimin e një të akuzuari për veprime kaq të rënda, pa masa të mëtejshme për të siguruar prezencën e tij në procesin penal, është një mesazh i rrezikshëm për shoqërinë tonë”, thuhet në reagim.

“Kur të akuzuarit për krime të tilla lirohen bazuar në marrëveshje për pranimin e fajësisë, pa ndonjë masë mbrojtëse për viktimat apo pa një denim sic parashihet me Kodin Penal të Kosovës reflekton në mos seriozitetin në sistemit të drejtësisë në luftimin e krimeve, rritet frika se drejtësia po dështon në mbrojtjen e viktimave dhe po toleron shkelësit e ligjit. Ky lirim krijon një klimë pasigurie për viktimat e sulmeve digjitale dhe për gratë e vajzat, që janë viktima të dhunës së këtij lloji”.

Ish-administratori i “AlbKings” u lirua nga paraburgimit pas marrëveshjes me organin e akuzës për pranimin e fajësisë.

Në këtë grup, në Telegram po denigroheshin gratë dhe vajzat.