Lajme

“Lirimi i policëve të kidnapuar nga Serbia do të rikthejë procesin e dialogut”

06/26/2023 18:03
nga:G C

Analisti politik, Fidan Ukaj thotë se me lirimin e policëve të kidnapuar nga Serbia do të stabilizohet situata në veri të Kosovës.

Ukaj në një prononcim për GazetaBlic thotë se, pas këtij vendimi do të hapen rrugët edhe për rikthim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Lirimi i policëve sigurisht se i hapë mundësitë për qetësimin dhe stabilizimin e situatës së krijuar. Po ashtu do të rikthehet procesi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjes së dakorduar në Bruksel e Ohër”, tha Ukaj për GazetaBlic.

Ndërsa, anëtari i PSD-së, Bardh Ahmeti thotë se me lirimin e policëve kosovarë të kidnapuar nga Serbia, jemi futur në një proces deeskalimi që sipas tij nënkuptohet tërheqja e policisë nga veriu i Kosovës e mbajtja e zgjedhjeve të reja.Ahmeti në një prononcim për GazetaBlic thotë se këtu vlen të theksohet toni më bashkëpunues i Bashkësisë Ndërkombëtare.

“Është e qartë që jemi futur një procesi de-eskalimi që sigurisht nënkupton tërheqjen e policisë nga veriu i Kosovës e mbajtja e zgjedhjeve të reja. Këtë mund ta shohim nga gjuha e bashkësisë ndërkombëtare që ka marrë një ton shumë më bashkëpunues”, tha Ahmeti.

Ahmeti shton se nga gjithë kjo situatë e tensionuar, formimi i Asociacionit është qëllimi final.

“Në këtë mes duhet ta bëjmë pyetjen “Çfarë ka fituar Kosova nga ky proces?”. E kjo pyetje, sigurisht, e hap rrugën për rezultatin e vërtetë që gjithë ky tension ka prodhuar, Asociacionin, që është edhe qëllimi final i marrëveshjes së Ohrit”, tha ai për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe me 14 qershor.

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin arrestuar më 14 qershor.

Policia derisa kishte konfirmuar arrestimin e tyre nga forcat serbe kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

Arrestimi i tre policëve kishte nxitur reagime të shumta në vend, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte.Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Borrell: Hapi tjetër, të bëhet gjithçka për zgjedhjet e reja në veri, shtetet anëtare do të marrin masa nëse nevojitet

Vuçiq bisedon me Blinkenin për tensionet në veri të Kosovës