Sporti

Liridon Leci: Drita po luan më shpejtë, nëse fiton ndaj Ballkanit do mbyllet çështja e kampionit

05/04/2023 18:58
nga:L J

Liridon Leci është padyshim një nga lojtarët që ka mbetur në mendjen dhe zemrën e shumë tifozëve të Dritës, për shkak të paraqitjeve të mira që ai kishte në të kaluarën tek “Intelektualët”.

Ish futbollisti i njohur kosovar, Liridon Leci – i cili njihet si një mbështetës i madh i klubit nga Gjilani, FC Drita thotë se skuadra e Vavalis me fitoren e sotme ndaj Llapit (0-2), ka bërë një hap të madh në luftën për titullin kampion, shkruan GazetaBlic Sport.

Sipas Lecit, Drita mori atë që dëshiroi në këtë duel, pra pikët, teksa kishte edhe pak fat, pasi Alidema humbi penalltinë kur rezultati ishte i barabartë.

“Padyshim që fitorja e Dritës në Podujevë ka aromë kampioni. Duke e parë që Ballkani barazoi në minutat shtesë kundër Prishtinës, ateherë kjo fitore e Dritës ka shumë vlerë. Drita nuk është se fitoi me fat sot, por nganjëherë fati të ndihmon dhe pikërisht Drita pati sado pak fat tek humbja e penalltisë së Llapit, sepse jam shumë i sigurt se në qoftëse do realizonte Llapi i pari golin, mbase gjërat do shkonin ndryshe, sepse dihet mirë se goli i avantazhit të jep shumë siguri, plus që Llapi ishte vendas dhe do të luftonte deri në fund ta mbronte rezultatin. Por humbja e penalltisë ndikoi në anën psikologjike tek disa futbollistë të Llapit, e sidomos tek Alidema i cili pasi humbi penalltinë nuk ishte fare në lojë për aq sa luajti, sepse e përjetoi shumë keq, gjë që u vërejt në performancën e tij. Drita kishte udhëtuar me synime të qarta, marrjen e pikës, ose thënë më mirë marrjën e pikëve”, tha fillimisht Liridon Leci për ‘GazetaBlic Sport’.

Trajneri i ri i Dritës, Akis Vavalis ka marrë dy fitore në dy ndeshjet e para në Superligë. Liridon Leci beson se loja e Dritës ka ndryshuar pak nga ajo që klubi aplikonte me Thaqin në krye, teksa thotë se trajnerët e ri janë shumë ambicioz.

“Mendoj se loja e Dritës ka ndryshuar pak nga loja që Drita ka pas me Arsim Thaqin, sepse vërehet një dëshirë e madhe në lojë, vërehet një angazhim maksimal tek të gjithë futbollistët, luajnë më shpejtë, luajnë më drejtëpërdrejtë. Ndersa tek trajneri Arsim Thaqi kohëve të fundit e kemi parë një Dritë, jo shumë me deshirë, jo shumë me grintë të madhe. Pra koha do ta tregoj se sa vlen ky trajner dhe do ta shofim punën e tij. Nuk pajtohem fare me disa që thonë që Drita ka trajner të ri. Trajnerët e ri kanë ide të reja, kanë mbase më shumë dëshirë për të punuar dhe janë shumë më ambicioz”, vazhdoi Leci.

Në fundjavë Drita do të ballafaqohet me Ballkanin e vendit të dytë, teksa Leci beson se kjo do jetë një superndeshje ku varet fati i kampionit.

“Ndeshja Drita -Ballkani do të jetë ndeshja e sezonit për të dy ekipet. Drita në rast se fiton, unë mendoj se çështja e titullit do mbyllet në Gjilan. Përparësi ka Drita në këtë ndeshje, sepse ka përkrah tifozët ‘Intelektualët’ që do të jenë super të motivuar për ta perkrahur ekipin e zemrës. Dhe e dyta është se Drita nuk e ka presionin e kësaj ndeshje, aq sa e ka Ballkani, sepse Drita edhe me barazim do të jetë prap në vendin e parë me tre pikë më shumë. Pra një superndeshje ku varet fati i kampionit”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport