Sporti

Liridon Fetahaj i motivuar para ndeshjes ndaj Ballkanit: Do të angazhohemi për finalen e madhe

04/23/2024 20:58
nga:Mergim Rreci

Ballkani dhe Suhareka do të përballen nesër në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja triumfoi në ndeshjen e parë me shifrat 1 me 0 dhe ka avantazhin për të kaluar në finalen e madhe, shkruan GazetaBlic Sport.

Megjithatë, tek skuadra e Suharekës fjala ‘dorëzim’ nuk ka vend, me klubin nga Liga e Parë që synon përmbysjen dhe finalen e madhe të trofeut të dytë më të rëndësishëm në vend.

Futbollisti Liridon Fetahaj paralajmëron se do të japin maksimumin e tyre për të arritur suksesin e madh, pavarësisht se ndeshja do të jetë e vështirë.

“Ndeshja me Ballkanin është një ndeshje e vështirë, por nuk do të dorëzohemi deri në fund, do të jemi të përkushtuar maksimalisht, gjithashtu e respektojmë kundërshtarin tonë. Angazhimi i skuadrës nuk do të mungojë asnjë minutë“, tha fillimisht Fetahaj.

Tutje, ai komentoi edhe mundësinë që skuadra e Ballkanit të jetë fizikisht më e lodhur pasi që vjen nga një ndeshje sfiduese ndaj Dritës.

“Jo, nuk besoj që lodhja do të ndikojë tek Ballkani, pasi kanë lojtarë të mjaftueshëm dhe tani kanë përvojën e tyre në ndeshje të njëpasnjëshme, mendoj se do të jetë një lojë e fortë nga dy skuadrat suharekase. Besoj deri tek minutat e fundit që skuadra jonë do të kalojë tutje”, përfundoi Fetahaj.

/GazetaBlic Sport/