Lajme

“Liria ka Emër” viziton nënën e Presidentit Thaçi në Burojë: Drejtësia do të triumfojë – Presidentin e presim në shtëpi

02/15/2026 11:53
nga:G B

Përfaqësuesit e platformës qytetare Liria ka Emër, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, vizituan sot në Burojë të Drenicës nënën e Presidentit Hashim Thaçi, Hyrë Thaçi.

Vizita u zhvillua në një moment vendimtar, kur procesi gjyqësor në Hagë po hyn në fazën finale. Përfaqësuesit e platformës shprehën solidaritet dhe mbështetje të plotë për nënën Hyrë dhe familjen Thaçi, duke theksuar besimin e tyre në triumfin e drejtësisë.

Gjatë takimit, ata e njoftuan gjithashtu për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, si një shprehje e mbështetjes popullore për çlirimtarët tanë që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.

“Qëndrojmë pranë nënës Hyrë me respekt dhe mirënjohje për sakrificën e saj. Besojmë se drejtësia do të triumfojë dhe se Presidenti Thaçi do të kthehet sa më shpejt në shtëpi, pranë familjes dhe popullit të tij”, tha Eliza Hoxha.

Ndërkaq, Ismail Tasholli u shpreh se Presidenti Thaçi i mungon Kosovës dhe familjes së tij. “Ai i mungon vendit tonë në këtë kohë sfidash. Kemi shumë punë për të bërë dhe besojmë se do të rikthehet për të vazhduar kontributin e tij”, tha Tasholli.

Nga ana e saj, nëna Hyrë falënderoi përfaqësuesit e platformës për vizitën, solidaritetin dhe mbështetjen e treguar në këtë moment vendimtar.

Platforma “Liria ka Emër” ritheksoi angazhimin e saj për drejtësi të paanshme dhe për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare, duke shprehur besimin në kthimin e shpejtë të çlirimtarëve në Kosovë.