Lajme

“Liria ka Emër” siguron mbështetje nga Rahoveci për marshin “Drejtësi, jo politikë”

01/27/2026 11:53
nga:Genita C

Platforma “Liria ka Emër” ka vazhduar sot fushatën e saj të takimeve nëpër Kosovë, me një vizitë zyrtare në Komunën e Rahovecit.

Dy themeluesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u pritën në takim nga kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Gjatë takimit, sipas njoftimit zyrtar, përfaqësuesit e platformës prezantuan misionin dhe aktivitetet e “Liria ka Emër”, me theks të veçantë në fushatën e mobilizimit qytetar për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Hoxha theksoi se ky Marsh është një thirrje qytetare për drejtësi të paanshme.

“Kërkojmë mbështetje që zëri i qytetarëve të Kosovës të dëgjohet fuqishëm më 17 shkurt”, shtoi ajo.

Ndërsa Tasholli ndër të tjera tha se mobilizimi në çdo komunë të Kosovës është thelbësor për përçimin e mesazhit të Marshit.

“Marshi “Drejtësi, jo politikë” është reagim i domosdoshëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik”, tha Tasholli.

Nga ana tjetër, Latifi shprehu mbështetjen e tij për këtë nismë qytetare, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të parimeve të drejtësisë.

“Drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë. Kjo është një kauzë që meriton mbështetje”, tha Latifi.