Sporti

Liria ‘godet’ me transferimin e fundit! Toni Gomes përforcimi ‘big’ i merkatos së verës

07/20/2026 15:58
nga:L J

FC Liria ka arritur transferimin e sulmuesit Toni Gomes, i cili i bashkohet skuadrës prizrenase si një nga përforcimet kryesore për sezonin e ri, mëson GazetaBlic Sport.

Gomes vjen nga Prishtina e Re, ku u paraqit gjatë edicionit të fundit, ndërsa tani do të mbajë fanellën e Lirisë.

Klubi prizrenas ka lëvizur shpejt në merkato për të mbushur boshllëkun e krijuar pas largimit të Nikqit, duke besuar se përvoja dhe cilësitë e Gomes do të jenë një aset i rëndësishëm në repartin ofensiv.

Vlen të theksohet se Toni Gomes ka një të kaluar mjaft interesante në futbollin evropian. Sulmuesi nga Guinea-Bissau ka qenë pjesë e akademisë së Liverpoolit, ku konsiderohej një prej talenteve premtuese të klubit anglez, para se karriera e tij ta çonte në disa kampionate të ndryshme.

/GazetaBlic Sport