Opinion

Liria e medieve gurthemel i demokracisë neoliberale

05/04/2022 22:02
nga:Fadil Maloku

(Organizata Gazetarët pa Kufij, në Indikatorin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Sipas indikatorëve që i publikoj kjo Organizatë, Shqipëria ka shënuar rënie, ndërsa Kosova ka shënuar progres krahasuar me raportin e vitit të kaluar. Në tabelën që përfshin 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin 103-të (duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuan me vitin paraprak kur renditej ne vendin e 83-të), kurse, Kosova (në vendin e 61-të ndryshe nga një vit më parë kur ishte) në vendin e 78-të) ka shënuar një ngritje prej 17 vendesh. Indikatorë e kësaj Organizate, i klasifikon shtetet në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit)

1. Mediat politike në demokraci – një defekt publik

Demokracinë e sotme bashkëkohore e karakterizon padyshim mënyra e komunikimit publik që për bazë dhe fondament duhet gjithnjë të kenë transparencën, përgjegjësinë dhe padyshim llogaridhënien. Në fazën e ndërtimit të demokracisë kosovare (duke mos përjashtuar këtu as atë në Shqipëri) kujtoj që e karakterizojnë një seri problemesh, sfidash dhe dukurish të keqinterpretimit të mundshëm të proceseve në sferën e vendimmarrjes publike – një segment shumë i rëndësishëm që e fisnikëron padyshim këtë sistem të udhëheqjes dhe menaxhimit me situatat dhe zhvillimet transitive që janë duke i hasur shoqëritë e dy shteteve shqiptare. Nëse analizojmë proceset vendimmarrëse, pastaj procesin e seleksionimit të njerëzve dhe figurave partiake nëpër kuvendet e këtyre subjekteve, kuptojmë më se miri se sa është në funksion dhe sa në fakt përfillen kriteret e asaj që shquhet si demokraci e brendshme partiake, që nënkupton jo vetëm përfilljen e kritereve dhe parimeve substanciale të aktit të vendimmarrjes, por edhe pluralizmin e interesave që i karakterizojnë shoqëritë moderne.Ideja është që në këto procese të seleksionimit të kuadrove dhe njerëzve të rinj të mos dominojnë vendimet mbi përzgjedhjen e njerëzve (apo thënë me thjesht militantëve të lidershipit) të afërt me lidershipin apo grupet monopole të interesit, por ato mbi projektet, vizionin, programin e cilës do parti në skenën politike.

2. “Kolonizimi mediatik”

Në këtë kontekst do të duhej një kujdes i posaçëm t’i kushtohet edhe një dukurie tjetër që në Kosovë ka filluar të marr përmasa interesante, kur është në pyetje futja në funksion e një lloj “kolonizimit mediatik” nga ana e mediave elektronike dhe ato të shkruara. Themi kështu ngaqë fitohet përshtypja se disa nga mediat elektronike, por edhe ato të shkruara në ambientet e tilla ku zhvillohen proceset e seleksionimit të elitave të ardhshme partiake nëpër kuvendet e organizuara, shpesh disi po e marrin rolin e të qenurit bajraktarë dhe prokurorë politikë të kampanjave (nëse mund të shprehemi kështu!) në komunikimet e përditshme sociale – në vend që të lozin rolin e një vrojtuesi neutral, apo një transmetuesi profesional të gjithë zhvillimit dhe procesit të adresuar në fjalë, në mënyrë që publikut t’ia bartë sa më besnikërisht gjithë dozën e informatës publikut të gjerë. Pra, duke u gjendur në këso raportesh, mediat kosovare (jo gjithnjë dhe jo të gjitha), në fakt po marrin rolin e padashur të promotorit, apo atij cilësuesit qendror që bartë mesazhe politike në vend që të informojë publikun në cilësinë e një katalizatori për ato ngjarje apo ndodhi. Në demokracinë globale mediale të sotme, padyshim që fokusimi në karizmat politike është një farë mënyre edhe një mekanizëm i mbijetimit në konkurrencën që p.sh. në rastet e vendeve në transicion mund dhe zakonisht shndërrohen në konkurrence jo luajale, me përplot ndërskamca, shantazhe, kërcënime, etj. Tani, problemi i ngritur në fakt është çështje fondamentale për ndërtimin dhe fuqizimin e asaj që e shquajmë demokraci funksionale, edhe për shkak se demokracia kërkon qytetari aktive apo online demokraci, e jo pasivitet dhe iluzion se çdo gjë është në rregull.

3. Depolitizimi i magnatëve të mediave

Meqenëse lufta kundër kësaj “fjetjeje aktive qytetare” është (kujtoj unë) sa problem politik aq edhe ideologjik e praktik, edhe me faktin se të qëndruarit pasiv, pra indiferent ndajë ngjarjeve, ndodhive dhe problemeve të shfaqura në shoqëri, në një mënyrë qarqeve të ndryshme të biznesit (që tashmë kanë marrë krahë dhe fuqi për kushtet tona marramendëse?!) po u hap derën për të vënë një pushtet absolut që në Evropën e nisur kah integrimet, është absurd i llojit të vetë! Zgjidhja e mundshme për të “ikur” nga ky ndikim i fortë dhe i padiskutueshëm i mediave që vihen në shërbim të politikave ditore, por edhe atyre politikave të ngushta klanore nëpër partitë politike në Kosovë, është për mendimin tim pikërisht në mediat tjera që akoma s’janë futur në kthetrat e këtyre tipave dhe klaneve mediatike, por edhe tek intelektualët që kanë arritur në një farë mënyre të zhveshën tërësisht nga çfarëdo lloji ndikimi apo interesi material e ideologjik partiak.Atëherë, nëse i marrim mediat me ndikim global siç janë CNN-ja apo Al Jazeera, kuptojmë dhe dëshmojmë që trendi i depolitizimit të magnatëve medialë është evident dhe se ato këtë primat të qenurit në maje të mediave globale e kanë ndërtuar pikërisht duke informuar saktë dhe me shpejtësi marramendëse. Ndryshe, sikur të mbeteshin nën “mëshirën” (lexo: “lëmoshën” qeveritare), padyshim që do të gjendeshin akoma në situatat përpëlitëse të mbijetesës. Në fakt, një përvojë të tillë të “shkurorëzimit” nuk është herët ta fillojnë edhe mediat shqiptare, në veçanti këto kosovare që janë akoma shumë larg këtij procesi. Kuptohet, në rast se dëshirojnë të mbahen si neutrale dhe tejet profesionale.