Liria dhe Dinamo do të përballen sërish mes vete, kësaj radhe në ndeshjen vendimtare të barazhit për Superligën e Kosovës.
Pas përfundimit të sezonit të rregullt në Ligën e Parë, dy skuadrat siguruan pozitat që i dërgojnë në “play-off”, ku vendi i tretë dhe i katërt do të luftojnë për një mundësi shtesë barazhi, atje ku më pas do të përballeshin me skuadrën që mbetet në vendin e 8-të në Superligë, shkruan GazetaBlic Sport.
Liria e mbylli kampionatin në pozitën e tretë, ndërsa Dinamo Ferizaj në të katërtën, të dyja me nga 71 pikë të grumbulluara. Megjithatë, prizrenasit e dhanë një mesazh të fortë në javën e fundit të sezonit, duke triumfuar bindshëm ndaj Dinamos me rezultat 5-1 në Ferizaj.
Ndeshja mes Lirisë dhe Dinamos së Ferizajt zhvillohet nesër me fillim nga ora 16:00 në Klinë. Pritet që përballja të sjellë rivalitet të madh dhe emocione deri në fund, pasi të dy ekipet synojnë një vend në elitën e futbollit kosovar.
/GazetaBlic Sport/


