Fit&Sexy

Lindjet me IVF, Gjina Zeqiri: Janë licensuar gjinekologë pa përvojë dhe shkollim në këtë drejtim, kjo është e papranueshme në vendet tjera!

04/23/2024 09:46
nga:N K

Fertilizimi in Vitro apo siç njihet ndryshe edhe me termin IVF është një metodë e trajtimit e cila përdoret kur çiftet nuk mund të lindin fëmijë, pavarësisht marrëdhënieve të rregullta të pambrojtura dhe për çiftet që vlerësohen për infertilitet.

Kjo procedurë mjekësore në shtetin e Kosovës ka arritur pas luftës, dhe për të gjithë çiftet infertile që duan të realizojnë këtë procedurë ekziston mundësia të realizohet në spitalet private.

Për procedurën e IVF-it në Kosovë dhe lincensimit të spitaleve, gjinekologia Gjina Zeqiri tha se Dikasteri i Shëndetësisë në Kosovë ia ka dhënë licensën klinikave private pa pasur stafi i tyre njohuri dhe shkollim rreth kësaj procedure.

Për çështjen e IVF në Kosovë dhe interesimin e çifteve infertile, gjinekologia Zeqiri ka dhënë një prononcim për GazetaBlic.

Ajo tha se kjo procedurë është e njohur për kosovarët përmes reklamave.

“Procedura e frytëzimit të asistuar mjekesorë apo IVF-it është e njohur për shtetasit kosovarë pas kohës së luftës. Çiftet infertile në Kosovë për këto proceduara janë të informuara kryesisht përmes reklamave. Trajtimi i temës së infertilitetit në media është pak i pranishëm. Në gjuhën shqipe nuk ka shumë informacione dhe procedura për IVF-in, gjë kjo e cila po paraqet mungesë informimi për çiftet infertile”, tha fillimisht ajo.

Në lidhje me krijimin e ligjit për IVF-in, Zeqiri theksoi se ka mungesë të ekpertëve në lidhje me njohuritë që kanë ata me shkollim.

“Pacientët në Kosovë shpesh humbin vite të tëra duke u endur nëpër gjinekologë të përgjithshëm, të cilët në asnjë mënyrë nuk mund t’iu ofrojnë pacientëve njohuri të mjaftueshme dhe tretman adekuat siç ju ofrojnë specialistët e kësaj fushe. Në krijimin e ligjeve për IVF-in nuk janë të kyçshëm profesionistët e vërtetë të kësaj lamie, por të vet ashtuquajturit “ekspertë”, edhe pse të tillët nuk e kanë parë kurrë asnjë procedurë te IVF-it dhe nuk e posedojnë asnjë shkollim në këtë drejtim”, zbuloi Zeqiri.

Sa i përket licensimit të spitaleve nga dikasteri i Shëndetësisë në Kosovë, gjinekologia  tha se ata janë të angazhuar si gjinekologë, por nuk janë të profesionalizuar për këtë drejtim që punojnë.

“Në shtetin e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë i ka licencuar spitalet për IVF-in, gjinekologët pa asnjë përvoje dhe shkollim në këtë drejtim, gjë e cila është e papranueshme në vendet tjera, e mandje as në ato të regjionit. Në vendet evropiane siç është përshembull shteti i Zvicrës assesi nuk mund të hapej një klinikë për IVF pa qenë  i shkolluar në këtë fushë dhe specialist i kësaj lamie”, tha tutje ajo.

Zeqiri thotë se në vendin tonë, pacientët pranojnë me lehtësi donacionin e qelizave gjinore, gjë që nuk ndodhë në vendet tjera.

“Procedura e frytënimit të asistuar apo IVF-i është shumë lehtë e pranueshme në mesin e popullatës kosovare. Pacientët në Kosovë e pranojnë më shumë lehtësi edhe donacionin e qelizave gjinore, qoftë të qelizave vezë të gruas apo të spermatozoideve të gjinisë mashkullore, gjë e cila në komunitetet tjera shpesh është e papranueshme”, potencoi ajo.

Gjinekologia potencoi se procesi i IVF-it në Kosovë, nuk është i kuptueshëm për qytetarët, sepse sipas saj ky proces nuk është i sigurtë në rezultate, mund të ketë dhe dështime.

“Ndër vite me hapjen e disa spitaleve për frytënim të asistuar apo IVF në Kosovë, pacientët janë vetëdijësuar deri dikund për procedurat e frytënimit të asistuar, në vitet e para të aplikimit të këtij lloj tretmani në Kosovë, qytetarët kosovarë nuk kanë arritur të kuptojnë se edhe pse paguajne për këto procedura munden edhe të deshtojnë”.

Zeqiri po fajëson profesionistët juridikë dhe Ministrinë e Shëndetësisë  për mungesën e profesionalizmit në lidhje me sukseset e procedurës së IVF-it në Kosovë.

“Spitalet në Kosovë kanë pasur probleme të shumta me pacientët të cilët nuk kanë kuptuar se procedurat e frytënimit të asistuar nuk garantojnë gjithmonë suksese, por për fat të keq këtë gjë nuk e kanë kuptuar as avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët. Ata i kanë akuzuar mjekët dhe spitalet e tilla për mashtrim, dhe transplantim. Gjëra të cilat nuk kanë ndodhur askund në botë përveç se në shtetin e Kosovës dhe të cilat e kanë treguar dhe ende e tregojnë një shkallë shumë të ulët të profesionalizmit pikë së pari brenda vet Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Sistemit të Drejtesisë”, tha tutje ajo.

“Sa i perket kërkesave për realizimin e frytënimit të asistuar, rastet janë shumë të mëdha nga çiftet kosovare, kurse shumë rrallë herë ka ndodhur që është interesuar për këto procedura ndonjë femër beqare, sepse ka pasur shumë dilema për të realizuar këtë procedurë deri në fund përkundër dëshirës së madhe për t’u bërë nënë pa partner apo burrë. Shkaku i kësaj mund të jetë mentaliteti patriarkalë i cili fatkeqësisht akoma dominon në shtetin e Kosovës, ku një grua e pamartuar akoma është e diskriminuar, e veçanarisht nëse ajo divorcohet apo vendosë të lindë dhe të bëhet nënë pa partner, pra me donacion”, përfundoi Zeqiri.

Kujtojmë se në janar të vitit 2023 Ministria e Shëndetësisë, ka miratuar projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhej se do të rregullohen edhe procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor, realizimi dhe këshillimi për këto procedura.

“Në të ardhmen, qytetarët mund të kenë mundësi që këto shërbime të rëndësishme lidhur me shëndetin riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar – Fertilizimi in vitro (IVF) t’i marrin edhe në institucionet publike shëndetësore”.

“Rregullimi i kësaj fushe tashmë edhe me ligj, krijon mundësinë për organizimin, funksionimin, rolin dhe përgjegjësitë institucionale dhe profesionale, mbikëqyrjen, inspektimin për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues”, thuhet në njoftim.

Muaj më parë drejtoresha e Qendrës Kosovare për studime gjinore, Luljeta Demolli në një intervistë për GazetaBlic ka kundërshtuar deklaratat e deputetes së AAK-së, Albena Reshitaj dhe deputetit të Vetëvendosjes, Eman Rrahmanit në lidhje me projektligjin e shëndetit riprodhues dhe fertilizim i asistuar.

“Deklaratat e Albena Reshitaj në lidhje me këtë projektligj janë fashiste dhe raciste të cilat nxisin urrejtje, kemi të bëjmë me fashizëm që nuk është parë më herët nga deputetët e Kosovës. Deklarata e Eman Rrahmanit për projektligjin për shëndet riprodhues është e pasaktë, sepse po shpërndan pasaktësi dhe është e turpshme për një deputet të shpërndajë pasaktësi “, tha ajo.

/GazetaBlic/