Lajme

Lindita Çunmulaj i reagon Edona Llalloshit: Historia nuk rishkruhet me mikrofon

12/17/2025 15:04
nga:N K

Aktorja Lindita Çunmulaj, ka reaguar ndaj këngëtares Edona Llalloshi, njëherësh edhe deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi kjo e fundit ia përshtati këngën e Çun Mulës liderit të saj, Albin Kurtit.

Çunmulaj me anë të një reagimi në ‘Facebook’ ka thënë se historia nuk rishkruhet me mikrofon dhe “këngët e burrave të kombit nuk ndryshohen sipas rrethanave”.

“Me marrë këngën e Çun Mulës dhe me ia kushtua një politikani të sotëm është njësoj si me marrë këngën e Adem Jasharit e me ia ndërrua emrin – nuk ban, sepse historia ka emër. Ka kohë dhe ka gjak”, ka deklaruar ajo.

Llalloshi këndoi një këngë kushtuar liderit të partisë, Albin Kurtit. Kënga e saj, nxiti shumë reagime, pasi u përmend vargu “Nuk jam djalë për me u koritë, jam Albini pushkë me qitë”, e në fakt është adoptimi i këngës që i kushtohet Çun Mulajt.

Postimi i plotë:

Kënga e Çun Mulës – Bajraktar i Hotit, hero i Kombit, është këngë nderi, historie dhe gjaku.
Është këngë që ka mbajtur gjallë emrin e një burri që i përket historisë shqiptare. Jo kohëve të ditës.
Kënga e fisit nuk tjetërsohet, nuk rishkruhet dhe nuk përdoret për interesa të momentit.
Ajo është trashëgimi.
Amanet dhe krenari që na është lënë brez pas brezi.
Me gjithë respektin për Edona Llalloshin si këngëtare, të cilën e vlerësojmë dhe e respektojmë,
duhet thënë qartë:
Historia nuk rishkruhet me mikrofon dhe këngët e burrave të kombit nuk ndryshohen sipas rrethanave.
Me marrë këngën e Çun Mulës dhe me ia kushtua një politikani të sotëm është njësoj si me marrë këngën e Adem Jasharit e me ia ndërrua emrin – nuk ban, sepse historia ka emër. Ka kohë dhe ka gjak.
Çun Mula është histori.
Kënga është amanet.
Amaneti nuk preket.