Lendita Bekteshi, kandidate për Deputete nga radhët e LDK-së iu është drejtuar qytetarëve, duke thënë se ka një vizion të qartë për zhvillimin e Kosovës.
66’shja e LDK-së thotë se vetëm bashkë mund të arrijmë ndryshime të mëdha dhe pozitive, shkruan GazetaBlic.
Më poshtë keni postimin e saj të plotë në rrjetin social, Facebook:
“Të dashur qytetarë të Republikës sonë!
Njerëz të mirë të kësaj toke të bekuar,
Po ju drejtohem sot jo vetëm si kandidate e LDK-së për deputete në Kuvendin e Kosovës, por si bijë, motër e nënë, që do ta rrisë e bekojë vajzën e saj në këtë tokë, me këta njerëz e me këtë kulturë.
Po ju drejtohem si njëra prej jush, e cila veten e ka vënë në shërbim të pakursyer për atdheun, për ta bërë edhe më të zhvilluar, ku njerëzit të jetojnë në paqe e në mirëqenie, ku solidariteti mes tyre kultivohet ashtu siç kultivohej një herë e një kohë, në vitet ‘90, nën udhëheqjen e njeriut të urtë e largpamës, dr. Ibrahim Rugovës, presidentit tonë historik, udhëheqësit të Lidhjes Demokratike, kësaj familjeje të madhe politike, shtetndërtueses e Kosovës.
Në emër të po kësaj familjeje të madhe, si bijë e përkushtuar ndaj vlerave të familjes, sot ju ftoj të rilidhemi bashkë sërish. Kultura dhe tradita jonë e familjes janë baza e çdo veprimi që ndërmarr në politikë. Ajo do të jetë përherë udhëheqësja ime.
Unë jam rritur me dashurinë për familjen e atdheun dhe jam e angazhuar për të ardhmen e tij: e kam vullnetin dhe angazhimin për të dhënë më të mirën për vendin tim.
Njohuritë dhe arsimi i marrë janë themeli i çdo ndryshimi pozitiv në shoqëri. Prandaj, dua t’i përdor ato në të mirë të vendit tim.
Në çdo raport me ju, sikur edhe deri tani, unë do të prirem nga sinqeriteti dhe respekti ndaj njerëzve; Në çdo hap do të kërkoj të jem e sinqertë dhe të respektoj çdo individ.
Besimi në trashëgiminë rugoviane, në vlerat e familjes, frymëzimi nga vlerat dhe ideali i udhëheqësve tanë të mëdhenj do të mbeten udhërrëfyesi im.
Përvoja politike në nivel lokal, duke u vënë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe rezultatet e prekshme në udhëheqjen e administratës komunale jam gati t’i bart si përvojë edhe në nivel kombëtar, tani në nivel të hartimit e miratimit të legjislacionit të përputhshëm me idealet e shoqërisë sonë.
Përmirësimi i cilësisë së jetesës së qytetarëve, një Kosovë më e mirë për të gjithë, mbrojtja dhe promovimi i lirive qytetare, mbrojtja e të drejtave dhe lirive të secilit qytetar: promovimi i gruas në vendimmarrje dhe fuqizimin i saj dhe përfaqësimi në pozita drejtuese janë jo vetëm synime politike për të cilat do të shkrij gjithë dijen time, por edhe premtimi im publik para jush. Ato janë shtyllat e veprimit tim nga të cilat nuk do të shmangem asnjëherë.
Sepse, unë e kam një vizion për Kosovën, një plan të qartë dhe të realizueshëm për zhvillimin e vendit tonë. Thirrja ime për ju sot është kontrata ime me ju nesër. Sepse, unë dua të vazhdoj t’ju shërbej me nder e përgjegjshmëri, ashtu si kam bërë gjithmonë.
Vetëm bashkë mund të arrijmë ndryshime të mëdha dhe pozitive. Me mbështetjen tuaj mund të arrihet një e ardhme më e mirë për të gjithë. Prandaj, ju bëj thirrje të më votoni dhe të siguroheni se synimet tuaja qytetare do të sendërtohen dhe të drejtat e juaja do të realizohen.
Na priftë e mbara!
Lendita Bekteshi, 66, LDK”.
/GazetaBlic/