Lajme

Limaj rrëfen detaje nga vizita te ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Gardiani nuk më kishte harruar, më përqafoi

12/22/2022 23:01
nga:Genita C

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, ka folur për vizitën e tij në Hagë, ku i ka vizituar ish-shokët e luftës për çlirimin e Kosovës, ish- drejtorin politik të UÇK-ës, Hashim Thaçin, ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin, ish-shefin e Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veselin dhe ish-inspektorin e UÇK-së, Rexhep Selimin.

Kryetari i Nismës ka thënë se i ka parë edhe rojet e burgut, të cilët e kishin ruajtur atë sa kishte qenë i burgosur në Hagë.

“Njëri nga gardianët më njohu me thirri “Limaj”, edhe u përqafova më të, pas 20 vjetëve ende punonte aty, edhe i thashë “nuk më paske harruar”, ma ktheu tha “nuk paske ndryshuar’”, ka treguar Limaj.

Ndërkohë, ai ka thënë se po e ka të vështirë t’i përshkruajë emocionet e tij nga takimet me ish-shokët e luftës.

“Fatkeqësisht janë aty ku janë, por fatmirësisht mirë e dinë pse janë, nuk janë për shkak të veprave të tyre që duhet të shkohet në gjykatë, por janë përshkak të një vepre të madhe, lirisë së Kosovës, e shohin si një sakrificë”, ka përfunduar Limaj.