Lajme

Limaj për Qeverinë Kurti: Puna e parë e 90% prej tyre ka qenë në institucione shtetërore

10/23/2024 22:20
nga:Sh R

“Lufta opozitare e Fatmir Limajt” është tema e së mërkurës në “Politiko” me Kushtrim Sadikun, teksa të ftuar janë komentatorët politikë Halil Matoshi, Nexhmedin Spahiu dhe Blerim Gashi.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka kritikuar punën e Qeverisë së Kosovës, e cila tashmë është në fund të mandatit.

Sipas tij, qeveria në krye me Kurtin ka ardhur në pushtet pa ndonjë plan konkret.

“Si duket këta janë befasuar me fitoren e tyre dhe janë shkuar pa plan. Kur ju i shihni të gjitha fushat, ka pasur premtime enorme, por që gjendja në shëndetësi, arsim, administratë, pensione, në shërbimet sociale dhe në punësime, e deri te nepotizmi janë qindra premtime që qytetari i ka parë si shpresë dhe ka dashtë me ndryshu, prandaj ia ka dhanë votën. Çka ka ndodh, për katër vjet sot shëndetësia është keq, arsimi është keq, çmimet janë shku në qiell”, tha Limaj.

Ndërkaq, Limaj nuk ka kursyer “kunjat” as për deputetët e pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se puna e parë e tyre ka qenë në institucione shtetërore.

“90% e tyre e për më tepër e kanë pasur punën e parë në institucione shtetërore. Nuk kanë pasë ndonjë histori në biografinë e tyre profesionale. Nuk kanë pasë ndonjë jurist me emër, ndonjë ekonomist…”, tha Limaj.