Fatmir Limaj, kryetari i Nismës në një intervistë për Gazeta Blic ka komentuar çështjen e Asociacionit.
Sipas Limajt, Asociacioni është një autonomi politiko territoriale dhe është mjaft i dëmshëm.
“Ky Asociacion me marrëveshjen e Ohrit, aty i ka bazat edhe të Brukselit, do të jetë autonomi politiko territoriale, kjo do të thotë se do të vazhdojë konflikti, me lënë trashëgim për gjeneratat që vijnë, kjo i bie që Kosova nuk i ka përfunduar punët me Serbinë dhe kjo i bie që Serbia kurrë më nuk do të ulet në tavolinë, kjo është me lënë zjarr të vazhdueshëm në territorin e Kosovës dhe në sistemin tonë kushtetues, do të jetojmë në një Kosovë tjetër të rendit kushtetues pas këtij Asociacioni”, ka thënë Limaj.
Limaj tutje ka thënë se Qeveria po mundohet të fshihet pas Gjykatës Kushtetuese.
“Të pa diturit tentojnë të qeverisin në shpinën e tjetrit, një Qeveri që i ka 51% tenton me u fsheh pas një institucioni tjetër, Gjykata Kushtetuese nuk qeverisë me vendin, nuk bënë marrëveshje politike. Gjykata Kushtetuese as nuk bën as nuk zhbën institucione, këto janë mendime politike, kur ne e kemi kundërshtuar Asociacionin nuk e kemi kundërshtuar se a është me kushtetutë apo jo, këtu është gabimi ne atëherë e kemi kundërshtuar Zajednicën sepse është një lëshim politik i rëndë dhe i dëmshëm për Kosovën”, tha ai.
Kryetari i Nismës, ka potencuar se Asociacioni pa njohjen e Kosovës nga Serbia është i dëmshëm.
“Unë edhe sot jam i bindur, se Asociacioni në Kosovë pa njohjen formale me Serbinë, është i dëmshëm. Unë kam qenë dhe jam për një Asociacion, me bë një lëshim të tillë në këmbim të njohjes formale, por me këtë Asociacion çfarë po fiton Kosova?! Njohje de-facto Kosova ka prej vitit 2011 radhazi, njohja de-facto është njohja e një realiteti i cili mund të ndryshohet nesër”, tha Fatmir Limaj për Gazeta Blic.


