Lajme

Limaj numëron një nga një aferat korruptive gjatë qeverisjes Kurti/ Ku po mbesin ato para?

10/23/2024 21:59
nga:Sh R

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun në Kanal 10, ka renditur aferat korruptive të Qeverisë Kurti. 

Ai ka thënë se për katër vjet qeverisje nuk ka pasur përmirësime as në arsim, shëndetësi as në punësim.

Limaj tutje ka folur edhe për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke shtuar se qytetarët e Kosovës paguajnë rrymë më së shtrenjti në rajon. Ai po ashtu ka thënë se nuk dihet se ku kanë mbetur rreth 100 milionë euro, që janë ndarë për energji elektrike.

“Çka ka ndodhur për katër vite, shëndetësia është keq, arsimi keq, çmimet janë në qiell, nuk e di a e dini por 40 për qind janë rritur çmimet që nga viti 2019. Kur ju dilni thoni që një kg kushton 90 cent me e bë 70, sepse thotë do ta heki TVSH-në nga artikujt ushqimor sidomos për artikujt e shportës dhe ju e shihni se në çdo market ai artikull ka shkuar 1.20 ose 1.30, kjo tregon qe jo vetëm që nuk e ka mbajt premtimin, por ka ndodhur e kundërta”, tha Limaj.

Tutje, ai theksoi se ka rritje enorme të çmimeve, por edhe shtrenjtim të energjisë elektrike.

“Energjia, ne e paguajmë energjinë elektrike më se shtrenjti në rajon, është shumëfishuar, bile është rritur çmimi fsheht nga opinioni. Ende nuk kemi shpjegime se çka ka ndodhur me paratë që janë dhënë gjatë luftës në Ukrainë, janë diku mbi 100 milionë euro që nuk ka shpjegim se ku kanë mbetur ato para. Kemi rritje enorme e në anën tjetër nuk kemi rritje të pagave, nuk ka investime kapitale”, tha Limaj.

Tutje Limaj ka thënë se për katër vjet, kjo qeverisje i ka pasur në dispozicion 12 milionë euro, ndërsa theksoi se sot ajo nuk ka asnjë projektapo investim që mund të krenohet.