Lajme

Limaj: Kurti e ka pranuar Asociacionin, Kosova është ngarkuar me shumë obligime nga kjo marrëveshje!

02/02/2024 08:28
nga:Y I

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur për procesin e dialogut, vitet e fundit.

Limaj tha se Kurti pati deklaruar se dialogu është çështja e fundit që do të kishte në axhendë por në fakt doli të ishte tema kryesore dhe e vetme në Kosovë.

Ai tutje tha se Kurti ka arritur marrëveshje me Vuçiqin dhe e ka pranuar Asociacionin.

“Nga një pretendim që ai thoshte se është çështja e fundit që që do të merrej me dialogun në axhendën e tij, faktikisht nga dita e parë e Qeverisë e deri më sot tema kryesore dhe e vetme në Kosovë është dialogu. Eshtë involvuar tërësisht dhe thellësisht dhe si rezultat i këtij involvimi të tërësishëm që asgjë tjetër nuk bën kjo Qeveri përveç dialogut. Kurti ka arritur edhe marrëveshje me Vuçiqin, ajo e Brukselit dhe plani operacional i Ohrit, dhe ajo që kemi parë është një keqësim të krejt asaj që ka qenë, keqësim i mëtutjeshëm i pozicionit të Kosovës, e kanë ngarkuar me një marrëveshje të keqe Kosovën. Tanimë po na dalin dhe draftet e Statutit dhe praktikisht zoti Kurti, në kundërshtim me krejt atë qëndrimin që ka patur në opozitë, praktikisht sot jemi para një realiteti kur ky kryeministër ka pranuar një Asociacion, një marrëveshje me shumë obligime dhe ky është realiteti kosovar” deklaroi Limaj për “Gazeta Blic”.

Kryetari i NISMA-s tha se Kurti me ardhjen në pushtet ka pësuar një metamorfozë dhe i takon kategorisë së politikanëve populistë, ordinerë dhe të rëndomtë.

Limaj tha se Kosova tri vitet e fundit ka stagnuar dhe stopuar në çdo aspekt.

“Fatkeqësisht jo rrallherë jemi surprizuar këtu nga njerëz të cilët pësojnë një metamorfozë nga opozita në pozitë dhe zoti Kurti i takon kësaj kategorie të politikanëve populistë, të rëndomtë, ordinerë, të cilët shfrytëzojnë momentet e caktuara, duke u kapur për kauza të mëdha, të ndjeshme për qytetarët. E shet veten në ato kauza për të përfituar mbështetje dhe fatkeqësisht kjo ka ndodhur me zotin Kurti. Jam i bindur se një pjesë e madhe e votuesve nuk e njohin më atë Kurtin e përparshëm, atë Kurtin që dilte me një këmishë të shkyer, e që na folte për çmimin e vajit, të rrymës, ujit, bukës e që në fakt ai kurrë se ka ditur as çmimin e vajit, as çmimin e bukës por prekte zemrat dhe ndjeshmërinëe qytetarit”

“Sot Kosova fatkeqësisht nën qeverisjen e tij, të gjitha këto çmime janë rritur. Atë që e keni blerë me rrogën tuaj para tri vitesh sot është e pamundur. Kosova sot e ka çmimin e bukës më të shtrenjtë në rajon, sidomos ke shporta familjare ka një rritje marramendëse ndërsa në anën tjetër nuk ka rritje të rrogave. Shëndetësia është më keq se sa ka qenë, arsimi po ashtu, të drejtat e punëtorëve janë më keq se sa kanë qenë. Ka synuar dhe po bën përpjekje për rrënimin e grupeve të ndryshme të interesit siç janë sindikatat, administrata është në një gjendje kome, sektorët e tjerë të sigurisë, Policia dhe ushtria po ashtu në një gjendje katastrofale ekonomike, nuk kemi asnjë investim këto tri vitet e fundit dhe të gjitha tregojnë se fatkeqësisht se Kosova ju ka nënshtruar një eksperimenti të madh, një eksaperiment që ka me na kushtu me dekada. Tri vitet e fundit çdo gjë ka ndaluar, stopuar dhe ka stagnuar” deklaroi Limaj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.

Intervistën e plotë të kryetarit të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ndiqni në faqen e Facebook të “Gazeta Blic”.