Lajme

Limaj kujton bashkëluftëtarët e rënë në Epopenë e Rahovecit: Sakrifica e tyre e bëri të mundur Kosovën e lirë

07/19/2026 14:31
nga:Genita C

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Rahovecit, duke nderuar dëshmorët e rënë në betejat për lirinë e Kosovës, raporton GazetaBlic.

Përmes një postimi, Limaj shprehu mirënjohje për bashkëluftëtarët e tij të rënë, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet e paharrueshme dhe se lufta e tyre për liri e dinjitet kombëtar bëri të mundur shtetin e lirë të Kosovës.

Postimi i plotë:

Në 28-vjetorin e Epopesë së Rahovecit, përkujtojmë me nderim dhe krenari shenjat e lirisë dhe të lavdisë sonë kombëtare – ato momente dhe figura që bënë të mundur që shteti ynë të frymojë sot i lirë.

Me përulësi e mirënjohje të thellë, kujtojmë dëshmorët që ranë heroikisht në këto beteja, bashkëluftëtarët e mi që u flijuan për lirinë, por që nuk vdiqën kurrë në kujtesën tonë:

Agim Çelaj, Sadik Shala, Afrim Krasniqi, Hamdi Berisha, Gani Paçarizi, Habib Berisha, Liman Gegaj dhe Ramadan Morina.

Rënia e tyre ishte dhimbje e madhe për ne, por po aq e madhe ishte forca dhe vendosmëria jonë për të vazhduar rrugën e nisur – luftën tonë të drejtë për liri dhe dinjitet kombëtar.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë në Epopenë e Rahovecit!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

I paharrueshëm qoftë kujtimi për ta!