Lajme

Ligjvënësit e BE-së bëjnë një vizitë historike në Tajvan

11/11/2021 08:56
nga:M K

Vizita vjen mes shqetësimeve në BE mbi përpjekjet e supozuara të Kinës për të ndikuar në politikën evropiane dhe për të përhapur dezinformata në lidhje me pandeminë COVID-19.

Një delegacion i Parlamentit Evropian ka mbërritur në Tajvan për të diskutuar përvojën e ishullit të vetëqeverisur në luftimin e dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj në demokracinë, median, kulturën dhe arsimin e tij.
Ministria e Punëve të Jashtme e Tajvanit mirëpriti sot grupin shtatë anëtarësh, duke e përshkruar atë si “delegacioni i parë zyrtar në histori i dërguar nga Parlamenti Evropian në Tajvan, i cili ka një rëndësi të madhe”.

Vizita e ligjvënësve vjen mes shqetësimeve në Bashkimin Evropian mbi përpjekjet e supozuara të Kinës për të ndikuar në politikën evropiane dhe për të mbjellë dezinformata rreth pandemisë COVID-19.

Tajvani, të cilin Pekini e sheh si një provincë të shkëputur, thotë se është gjithashtu një viktimë e rregullt e fushatave kineze të dezinformimit, dhe Parlamenti Evropian kohët e fundit kishte vlerësuar suksesin e ishullit në trajtimin e “ndërhyrjes në demokracinë e tij pa kufizuar lirinë e fjalës dhe medias”.
Delegacioni, i kryesuar nga anëtari francez i Parlamentit Evropian, Raphael Glucksmann, tha se do të “diskutojë përvojat tajvaneze në luftën kundër dezinformimit, përpjekjet për ndërhyrje në demokracinë, median, kulturën dhe arsimin tajvanez, si dhe përpjekjet e Tajvanit për të përforcuar kibernetikën e saj”.
Në një deklaratë para largimit të tij, Glucksmann shtoi: “Përvoja e Tajvanit në adresimin e sulmeve të përsëritura dhe të sofistikuara përmes mobilizimit të tërë shoqërisë së tij dhe pa kufizuar demokracinë e tij, është unike”.

Lidhje më të forta BE-Tajvan
Të gjithë delegatët evropianë vijnë nga Komiteti Special i Parlamentit Evropian për Ndërhyrjen e Jashtme në të gjitha Proceset Demokratike dhe do të takohen me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, kryeministrin Su Tseng-chang dhe liderë të tjerë të lartë gjatë udhëtimit të tyre treditor.
Vizita e tyre vjen gjithashtu në mes të tensioneve të rritura midis Kinës dhe Tajvanit, me presionin ushtarak në rritje të Pekinit në ishull, duke dërguar avionë luftarakë në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore (ADIZ). Vendet perëndimore, të cilat janë gjithnjë e më të shqetësuara për veprimet e Kinës, kanë shprehur shqetësimin për presionin e Pekinit ndaj Tajvanit dhe po kërkojnë marrëdhënie më të forta me ishullin, pavarësisht se nuk kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare me territorin.

“Kundërvënia kundër dezinformimit është një temë që gëzon mbështetje të gjerë brenda BE-së midis shteteve anëtare, e intensifikuar nga operacionet e ndikimit të Kinës dhe përdorimi i dezinformatave gjatë gjithë pandemisë për të minuar demokracinë dhe unitetin evropian,” tha Zsuzsa Anna Ferenczy, një studiuese (PhD) në Qendrën e Bashkimi Evropian në Tajvan në Universitetin Kombëtar të Tajvanit në Taipei.

“Në të kundërtën, ndërtimi i lidhjeve më të ngushta me Tajvanin është ende punë në progres brenda BE-së, pikërisht për shkak të faktorit Kinë, pasi vendet anëtare nuk kanë rënë dakord për llojin e marrëdhënieve që duan të kenë me Kinën në të ardhmen. Pra, për Parlamentin Evropian të përdoret dezinformimi si një mjet për të angazhuar Tajvanin është punë e mençur dhe ofron një rrugë të qëndrueshme përpara”, tha ajo.
Kina ka dënuar veprimet e BE-së, duke thënë se Parlamenti Evropian ka minuar “sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës” përmes mbështetjes së saj për një angazhim më të ngushtë me Tajvanin.

BE-ja është burimi më i madh i Tajvanit i investimeve të huaja direkte, por angazhimi publik midis dy vendeve ka qenë relativisht më i ulët deri kohët e fundit.
Në fillim të kësaj jave, Ministri i Jashtëm i Tajvanit Joseph Wu u kthye nga Evropa, në një tjetër udhëtim historik, ku vizitoi kryeqytetin administrativ të BE-së në Bruksel, si dhe Republikën Çeke dhe Sllovakinë.

Një delegacion nga Lituania aleate pritet gjithashtu të vizitojë Tajvanin më vonë këtë vit.

Në angazhimin e tyre zyrtar, Tajvani dhe aleatët e tij evropianë në Evropën Qendrore dhe në rajonin e Baltikut kanë theksuar përvojat e tyre të përbashkëta me përmbysjen e autoritarizmit, por kohët e fundit Tajvani ka përdorur platforma të mediave sociale, si Instagram, për të gjetur mbështetje.
Agjencia Qendrore e Lajmeve e Tajvanit hapi së fundmi llogarinë në Instagram “Përshëndetje Lituani” për të prezantuar vendin te lexuesit më të rinj, me postime që shpjegojnë, historinë, ushqimin dhe kulturën e Lituanisë dhe personazhe që përfaqësojnë ‘lituanezët tipikë’.
“I gjithë ky aktivitet BE-Tajvan tani është rezultat i përpjekjeve të Tajvanit për të qenë një partner kuptimplotë për BE-në, qoftë në vlerë ose në bashkëpunim konkret. Tajvani është gjithashtu një vitrinë për BE-në për të promovuar politikën e saj të orientuar drejt vlerave në zonën Indo-Paqësorit”, tha Marc Cheng, drejtor ekzekutiv i Qendrës së BE-së në Tajvan.