Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën se si po e trajton çështjen e ish-krerëve të UÇK-së që më 16 shtator u dënuan me gjithsej 81 vite burgim.
Në “Blic Interview me Astrit Gashin”, Isufi ka thënë se deri tani nuk ka parë seriozitet të mjaftueshëm nga institucionet e Kosovës për këtë çështje.
“Deri tani nuk kemi parë një seriozitet të kësaj teme kaq të rëndësishme nga Qeveria e Kosovës. Thirrja jonë është që të bëhen veprime të duhura që të mbrohet Kosova. Nuk janë në pyetje individët e as një ndërmarrje e përbashkët kriminale që ceket atje, për shkak se kemi të bëjmë me një gjykim i cili më shumë ka përdorur elemente të cilat vetëm janë përdorur si pretekst sesa që janë bazike”, është shprehur Isufi.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të përdorë të gjithë mekanizmat në dispozicion dhe të rrisë angazhimin institucional.
“Prandaj Qeveria e Kosovës duhet të mobilizohet me të gjithë mekanizmat që i ka dhe thirrja jonë është mobilizohuni më shumë sesa deri tani, sepse nuk keni treguar gatishmëri të mjaftueshme”, ka thënë ai.
Isufi ka kërkuar gjithashtu që në këtë proces të angazhohen profesionistë dhe ekspertë të fushës juridike.
“Kjo do ta bënte shumë më aktive pjesën profesionale, sepse kemi të bëjmë konkretisht me ligj. Duhet të mblidhen profesionistët më të mirë Qeveria, në mënyrë që në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, në këtë rast të cilët kanë ekspertë edhe ata, me u ulë që të bëhet e pamundura që edhe ata të kthehen të pafajshëm në Kosovë”, ka deklaruar Isufi në “Blic Interview me Astrit Gashin”.


