Lajme

Ligji për sigurimet shëndetësore/ Berisha: Mashtrim për efekt elektoral

08/29/2024 09:43
nga:N K

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Lidhur me këtë çështje në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha. Ai tha se ngre shumë pikëpyetje deklarata e Kurtit për ligjin për sigurimet shëndetësore, në lidhje me sinqeritetin dhe qëllimin e kësaj nisme.

“Deklarata e kryeministrit Albin Kurti për miratimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore në mbledhjen e ardhshme të qeverisë ngre shumë pikëpyetje në lidhje me sinqeritetin dhe qëllimin e kësaj nisme. Megjithatë, gjatë dy mandateve të tij qeverisëse Kurti 1 dhe 2, ai nuk e ka inicuar ose avancuar këtë ligj. Përkundrazi, me ardhjen në pushtet pas zgjedhjeve të tetorit 2019, qeveria e tij ka pezulluar implementimin e ligjit që ishte miratuar më parë nga qeveria e kaluar. Implementimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore ishte parashikuar të fillonte të implementohej që më 1 janar 2020, bazuar në LIGJI NR. 04/L -249 PËR SIGURIMIN SHËNDETËSOR, miratuar në vitin 2014, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës; në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Tutje ai tha se qeveria aktuale hoqi nga agjenda e zbatimit ligjin, dhe sipas tij kjo vendimarrje reflekton një lloj hipokrizie politike ku për katë vite u neglizha.

“Megjithatë, qeveria e Kurtit, në vend që të vazhdonte me implementimin e tij, e hoqi atë nga agjenda e zbatimit. Kjo vendimmarrje reflekton një lloj hipokrizie politike, ku një premtim i madh elektoral dhe një çështje me rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës u neglizhua për katër vite të plota. Në vend që të punonte për zbatimin e ligjit dhe për të siguruar që qytetarët të përfitonin nga sigurimet shëndetësore, qeveria aktuale ka zgjedhur ta përdorë këtë temë si një kartë elektorale. Tani, kur janë caktuar datat për zgjedhjet e ardhshme, Kurti dhe partia e tij duket se po e riprocedojnë këtë ligj, duke e paraqitur si një nismë të re, për të krijuar përshtypjen se po ndërmarrin hapa konkretë për të përmbushur premtimet e tyre”, tha ai.

Deputeti tha se qeveria aktuale kishe mundësi që në fillimet e saj ta implementonte ligjin për sigurimet shëndetësore dhe se ky veprim i tanishëm, sipas tij, është një përpjekje për të kthyer besimin e votuesve.

“Ky veprim nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për të ringjallur besimin e votuesve përmes një “reprize” të premtimeve të pa realizuara që i përdori si kauza elektorale politike mashtruese. Bile paskrupullsia e tyre shkon deri aty sa nuk u kursyen ta nxjerrin nga varri as çështjen Dehari të cilin e shtynë në vrasje dhe ta kthejnë në kauzë elektorale. Një tjetër aspekt që tregon se është një veprim i paqëndrueshëm dhe manipulues është fakti se, përkundër deklaratave të tanishme, qeveria kishte mundësi të implementonte Ligjin për Sigurimet Shëndetësore që në fillim të mandatit të saj. Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kishte ndërmarrë hapa konkretë drejt themelimit të Bordit të Sigurimeve Shëndetësore, që do të shënonte një hap të madh drejt funksionalizimit të plotë të sistemit të sigurimeve shëndetësore në Kosovë. Ai kishte theksuar se ky bord dhe fondi në fjalë do të ishte një mburojë financiare për të gjithë qytetarët kundër kostove të larta të shërbimeve mjekësore dhe do të siguronte qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore për të gjithë”, theksoi ai.

Berisha e quajti taktikë dhe mashtrim për efekt elektoral, miratimin e ligjit për sigurimet shëndetësore.

“Në kontekstin e këtyre veprimeve të mëparshme, qëndrimi aktual i Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të promovuar miratimin e sërishëm të ligjit duket se është një manovër taktike elektorale, më shumë se sa një angazhim i sinqertë për të përmbushur një nevojë të ngutshme shëndetësore. Kur analizojmë faktet, del qartë se qeveria kishte të gjitha mjetet (me theks buxhetin prej 14.133 miliardësh për këto vite qeverisje, i cili tre vitët e fundit ka një suficit rreth dhe mbi një miliard) si dhe kohën e nevojshme për të zbatuar këtë ligj, por përzgjedhja e tyre për ta pezulluar atë në vend që ta implementonin tregon për një mospërputhje mes fjalëve dhe veprimeve, pra është thjeshtë dhe vetëm mashtrim për efekt elektoral”, potencoi ai.

“Kështu që është e rëndësishme që qytetarët të jenë të vetëdijshëm për hipokrizinë dhe mungesën e përkushtimit të vërtetë që reflekton ky veprim. Tani, më shumë se kurrë, qytetarët kanë nevojë për veprime konkrete dhe të besueshme, jo vetëm për premtime dhe retorikë elektorale. Në fund të fundit, shëndeti i popullit nuk duhet të jetë një kartë në lojën e politikës, por një prioritet i vërtetë për qeverinë dhe të gjitha institucionet shtetërore”, përfundoi deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

/GazetaBlic/