Lajme

Ligji për KPM-në u shpall anti-kushtetues, PDK: Koha e kapjes së shtetit po mbaron

04/23/2025 17:24
nga:G B

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese se ligji i pushtetit të prirë nga Albin Kurti për Komisionin e Pavarur për Media është jo-kushtetuese.

“Lajm shumë i mirë sot nga Gjykata Kushtetuese, e cila vërtetoi edhe një herë se pushteti në ikje ka shkelur Kushtetutën”, ka reaguar PDK-ja në një komunikatë për media.

PDK-ja ka vlerësuar se vendimi për ta shpallur Ligjin nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave si anti-kushtetues është dëshmi e qartë se qeverisja e kaluar e ka përdorur shumicën parlamentare për të kapur institucionet e pavarura, në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe demokratike.

“Ky nuk është rasti i parë që Gjykata Kushtetuese e rrëzon një ligj të këtij pushteti në ikje. Me këtë qasje anti-kushtetuese kanë qeverisur – dhe me të edhe po ikin”, ka deklaruar PDK-ja.

“PDK e mirëpret këtë vendim dhe riafirmon zotimin tonë për të garantuar liri të mediave, pavarësi institucionale dhe sundim të ligjit. Koha e kapjes së shtetit po mbaron. Kosova mundet ma mirë”, thuhej më tej.