Lajme

“Ligji për konfiskimin e pasurisë” – VV mund ta zgjedhë Drejtorin e Byrosë pa bashkëpunim me grupet tjera parlamentare

01/06/2022 13:15
nga:N M

Me ligjin e ri të propozuar nga Qeveria Kurti, do të krijohet një institucion i ri, Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton GazetaBlic.

Ky institucion i ri, me të gjitha tiparet e një institucioni që do të hetojë dhe akuzojë, do të jetë i ndarë nga sistemi aktual i cili përbëhet nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria. Jo vetëm kaq, por këtij institucioni do t’i përgjigjen të gjitha institucionet tjera shtetërore, me qëllim që t’i mundësohet kryerja e detyrave.

Njeriu kryesor i Byros do të jetë Drejtori i Përgjithshëm, i cili do ta përfaqësojë këtë institucion si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Por, ajo që është më e rëndësishme, në kuadër të kompetencave të tij, është fuqia që Drejtori të “nxjerr vendime konform mandatit dhe kompetencave të Byrosë”, pra edhe për hetimin e ndonjë zyrtari shtetëror, ashtu si përcaktohet në nenin 8, pika 1.1 dhe 1.2.

Për të zgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm të Byrosë do të hapet konkurs, por në fund do të jenë deputetët e Kuvendit të Kosovës që do të votojnë për emërimin e tij.
Në nenin 12, pika 7, thuhet se kjo do të bëhet “me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë”.

Aktualisht, gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës vijnë nga Vetëvendosje dhe kjo do të thotë se partisë në pushtet, që udhëhiqet nga Albin Kurti, nuk do t’i duhej konsensusi dhe as mbështetja nga partitë opozitare për të caktuar në krye të këtij institucioni një drejtues të pavarur politikisht.
Një ditë më herët, Gazeta Blic ka publikuar pjesë të tjera të këtij projektligji, i cili tashmë është dërguar nga Qeveria për në Kuvendin e Kosovës.

Në publikimin e parë , Gazeta Blic ka theksuar dy çështje të rëndësishme në këtë projektligj: (1) Prezumimi i pafajësisë, pra që askush nuk është i fajshëm derisa të vërtetohet fajësia, si një e drejtë juridike e të akuzuarit, nuk do të vlejë me këtë ligj, dhe (2) Barra e provës do të bie mbi palën dhe jo mbi institucionin që akuzon – Byron.

Grupet parlamentare akoma nuk kanë dhënë qëndrimet e tyre, por publikimi i Gazetës Blic ka ngjallur reagime nga profesor të drejtësisë dhe ekspertë nga shoqëria civile, të cilët kanë qenë afër gjatë draftimit të këtij ligji.

Hulumtuesi i Institutit Kosovar për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, ka folur për këtë projektligj. Ai ka treguar se IKD ka qenë pjesë e grupit punues, porse gjatë fazës së draftimit të koncept-dokumentit, e kishin kundërshtuar vendosjen e sistemit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Në anën tjetër, IKD ka qenë pjesë e grupit punues për draftimin e këtij projektligji. Qysh në fazën e draftimit të Koncept-Dokumentit përkitazi me këtë ligj, IKD kishte kundërshtuar vendosjen e sistemit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Në stadin në të cilin gjendet sistemi kosovar i drejtësisë, ky sistem më tepër mund të përdoret për persekutime politike apo personale se sa që mund të jap efekte praktike. Bazuar në raportet ndërkombëtare, sistemi kosovar i drejtësisë konsiderohet lehtë i ndikueshëm nga politika. Këtë deklarim e ka potencuar vazhdimisht edhe partia në pushtet. Ndërsa, me këtë projektligj, po këtij sistemi po i ipet edhe një kompetencë shtesë, ajo e vendosjes mbi justifikueshmërinë e pasurisë së personave, procedura ndaj të cilëve iniciohet nga Byroja. Sipas projektligjit të miratuar, në sferën e personave pasuria e të cilëve mund të verifikohet nga Byroja, hyjnë të gjithë zyrtarët publik, personat e ekspozuar politikisht, familjarët e tyre dhe personat e tretë”, ka thënë Shala për Blic.

Për më tepër, sipas tij, procesi i udhëhequr nga Byroja mund të shndërrohet në një “luftë shtrigash”. “Në këtë mënyrë, numri i qytetarëve që potencialisht mund të jenë subjekt i verifikimit nga ana e Agjencisë është mbi 100.000. Ky numër paraqet pamundësi objektive për Byronë që të verifikojë secilin prej tyre. Si rrjedhojë, paraqitet një rrezik i madh për qasje selektive nga Byroja dhe për “luftë shtrigash””, tha Shala për Blic.

Edhe ish profesori i Fakultetit Juridik, Muhamed Kelmendi, ka qenë kritik në projektligjin e prezantuar në medie. Ai ka thënë për Gazetën Blic se në momentin që administrate futet në ndarjen e drejtësisë atëherë humb karakteri i shtetit ligjor dhe shteti merr formën e diktaturës.

“Nuk lejohet që për shkak te neglizhencës në sistemin juridik, të dështon shteti ligjor. Gjykatat nuk zëvendesohen me asnjë organ administrativ. Kërkohet që Prokuroria Speciale të hapi hetimet dhe mbi ato rrezultate të bëhet edhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nga ana e gjykatave.Akuzuesi duhet te paraqesë prova. Nuk lejohet që mbi bazen e ndonjë shume të të hollave te akuzohet askush. Dyshime mund të krijohen, por pa prova dhe shqyrtim kryesor, nuk konfiskohet asnjë pasuri. Nuk ka mundësi juridiko-kushtetuese dhe as që duhet pretenduar që organet administrative të hetojnë dhe konfiskojnë pasurinë. Nëse kështu bëhet dhe lejohet në Kosovë, humb shteti i së drejtës. Veprimi tjetër, duke futur administratën në ndarjen e drejtësisë, e futim kështu shtetin në një gjendje të rëndë dhe shumë konfliktuoze. Humb karakteri ligjor i shtetit dhe shteti merr formë të diktaturës”, deklaroi Kelmendi.

/GazetaBlic

Ekskluzive: Ligji për konfiskimin e pasurisë- nuk do të vlejë prezumimi i pafajësisë dhe barra e provës do të bie mbi palët e jo mbi Byron

Shpend Ahmeti i reagon ashpër qeverisë, pas shkrimit të Gazeta Blic, rreth ligjit për konfiskim të pasurisë: Kina e ka një ligj të tillë

Ligji për konfiskimin e pasurisë, Shala: Ky sistem mund të përdoret për persekutime politike!